Zelenskyy: Rusia lëshoi 8 raketa në qytetin Vinnytsia, duke shkatërruar tërësisht aeroportin e tij

“Ne jemi njerëz dhe është detyra juaj humanitare të na mbroni, të mbroni njerëzit. Dhe ju mund ta bëni këtë”, i kërkoi presidenti i Ukrainës komunitetit ndërkombëtar.

Rusia gjuajti tetë raketa në Vinnytsia të Ukrainës dhe shkatërroi plotësisht aeroportin në këtë qytet në pjesën qendrore-perëndimore të vendit, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Në një video-mesazh në Telegram, Zelenskyy tha se forcat ruse vazhdojnë të shkatërrojnë infrastrukturën në Ukrainë.

“Sapo kam dëgjuar një raportim për sulm me raketa në Vinnytsia, tetë raketa. Kundër qytetit tonë, kundër Vinnytsia-s sonë paqësore, e cila nuk ka paraqitur asnjë kërcënim për Rusinë në asnjë mënyrë”, tha ai.

Zelenskyy përsëriti thirrjen e tij për një zonë të ndaluar për fluturime mbi Ukrainë dhe theksoi rëndësinë e krijimit të korridoreve të ndihmës humanitare.

“Ne jemi njerëz dhe është detyra juaj humanitare të na mbroni, të mbroni njerëzit. Dhe ju mund ta bëni këtë”, i kërkoi ai komunitetit ndërkombëtar.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ku Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Britania dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Qindra civilë kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ruse.

Më shumë se 1,5 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Kategoritë
BotaLajme