Zgjedhjet e Serbisë – pozita thotë se u mor shembull perëndimi, opozita shqetësohet për reagimin e QUINT-it

Serbia mban, të dielën, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, zgjedhjet këto që nuk do të mbahen edhe në Kosovë me vendim të ekzekutivit të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse pati reagime për këtë vendim nga shtetet e QUINT-it, deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli thotë se kryeministri Albin Kurti ka pasur komunikim normal me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve.

Madje sipas tij, janë marrë shembull praktikat e vendeve perëndimore, por që Serbia nuk ka qenë e interesuar që të zgjidhë këtë problematikë me Qeverinë e Kosovës.

“Kryeministri Kurti ka pasur komunikim me shtete e QUINT-it dhe komunikimi ka qenë normal. Ne kemi thënë që respektojmë vullnetin e qytetarëve për të votuar ata që kanë dy shtetësi, por mënyrat e votimit për pjesëtarët e komunitetit serb kemi kërkuar të jenë me praktika të vendeve perëndimore”.

“Serbia nuk ka qenë e interesuar që të zgjedh këtë problematikë dhe të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës dhe tani ka vendosur të mbahen në qytete të Serbisë”, tha ai.

Kurse deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se pa përkrahjen e shteteve QUINT-it, Kosova nuk mund të avancojë në sferën ndërkombëtare.

Ajo shton se nuk ka koordinim të brendshëm me serbët ashtu siç ka premtuar kryeministri Kurti në fushatë zgjedhore.

“Unë mendoj që nuk ka një koordinim të brendshëm, dhe nuk ka dialog të brendshëm me serbët ashtu siç ka premtuar kryeministri Kurti në fushatë zgjedhore dhe nuk kemi parë hapa konkret me serbët në Kosovë”.

“Vendimi është i kryeministrit dhe nuk është e jona si opozitë që ta komentojmë. Shtete e QUINT-it janë ato të cilat ne na kanë ndihmuar sot ku jemi dhe pa përkrahjen e tyre nuk mund të avancojmë në sfera ndërkombëtare”, tha Musliu-Shoshi.

Në raport me veriun dhe Serbinë asnjë proces Kosova nuk është mirë ta zhvillojë pa koordinim me ShBA-i tha Ekonomia Online deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Madje, ai tha se për herë të parë po ndodh që shtetet e QUINT-it janë në anën e Serbisë, andaj duhet të merret me shqetësim ky reagim.

“Në raport me veriun dhe Serbinë asnjë proces Kosova nuk është mirë ta zhvillojë pa konsulta të ngushta me miqtë tanë ndërkombëtarë. Falë një qasje të koordinuar me shtete mike ka arritur të shtrijë në një far forme sovranitetin e saj me polici, me gjykata me dogana. Nuk është situata siç do të dëshironim, por ka pasur lëvizje pozitive”.

“Prandaj çdo çështje që lidhet me veriun e Kosovës, duhet të jemi koordinuar me shtetet mike sepse po ndodh përherë të parë që shtete e QUINT-it dalin në anën e Serbisë dhe kjo duhet marrë me shqetësim nga ne. Nuk po them që duhet të kërkojmë të ndodh gjithçka këtu sepse gjithçka që duhet të bëjmë duhet ta bëjmë në koordinim me shtetet mike”.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj potencoi se duhet mbrojtur ligjet e Kosovës dhe Kushtetuta.

“Ne duhet të mbrojmë ligjet e Kosovës, kushtetutën e Kosovës. Duhet të mbrojmë qytetarin e Kosovës dhe me siguri që në këtë drejtim AAK-ja e ka mbështetur Qeverinë”, tha ai.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020.

Në këto zgjedhje misioni i OSBE-së ka grumbulluar votat, praktikë kjo e krijuar që nga viti 2017.

Kategoritë
LajmeVendi