Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, më shumë se gjysma e kryetarëve të komunave do të përcaktohen në raundin e dytë

Tridhjetë e dy komuna fituan kryetarë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ndërsa në më shumë se gjysmën e komunave do të ketë raund të dytë më 31 tetor.

Tridhjetë e dy komuna fituan kryetarë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën dje në Maqedoninë e Veriut ndërsa në më shumë se gjysmën e komunave do të ketë raund të dytë më 31 tetor, tregojnë të dhënat e deritanishme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të fundit të KSHZ-së, në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e komunave në Berovë, Bogdanc, Bosillovë, Butel, Vallandovë, Veles, Vinicë, Gazi Babë, Gradsko, Dellçevë, Dojran, Zërnoc, Ilinden, Jegunoc, Kavadar, Karbinc, Kriva Pallankë, Krivogashtan, Krushevë, Likovë, Mogillë, Negotinë, Novaci, Petrovec, Pllasnicë, Prilep, Saraj, Sveti Nikollë, Sopisht, Strumicë, Qendër Zhupë dhe Shtip.

Përderisa vazhdon numërimi i votave në komunat tjera të vendit, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, parti dhe kandidatë të ndryshëm do të shkojnë në raundin e dytë, që pritet të mbahet më 31 tetor.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në raundin e parë fitoi 9 kryetarë komunash, VMRO-DPMNE-ja 19, Bashkimi Demokratik (BDI) tre dhe Partia Demokratike Turke (TDP) një.

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja do të garojnë në raundin e dytë në më shumë se 20 komuna ndërsa pritet balotazh në Qytetin e Shkupit mes kandidatit të LSDM-së, njëherësh kryetarit aktual, Petre Shilegov dhe kandidates së grupit të votuesve, Danella Arsovska.

Garuan gjithsej 299 kandidatë për kryetarë komunash

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u realizua në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në këto zgjedhje lokale garuan 299 kandidatë për kryetarë komunash dhe 572 lista me gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë komunalë.

Sipas informacioneve të KSHZ-së jehona e votuesve është 48,99 për qind ose 848.104 votues.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për 4 vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni