Zgjedhjet në Francë: A do t’ia dalë Macron për një mandat tjetër?

Gjithsej 12 kandidatë në garën për postin e të parit të vendit, nga presidenti aktual Emmanuel Macron tek tri-herë-kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen

Më 10 prill, populli francez do të shkojë në kutitë e votimit për të votuar për presidentin e tyre të ardhshëm në raundin e parë të votimit, ndërsa raundi i dytë i balotazhit është planifikuar për më 24 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Fushata zgjedhore në Francë ka filluar dhe janë gjithsej 12 kandidatë në garën për postin e të parit të vendit, nga presidenti aktual Emmanuel Macron tek tri-herë-kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, kandidati i partisë së të Gjelbërve Yannick Jadot, deri te kryebashkiakja aktuale e Parisit dhe kandidatja e Partisë Socialiste, Anne Hidalgo.

Me dekret kushtetues, zgjedhjet në Francë mbahen çdo pesë vjet dhe presidenti zgjidhet me votë popullore. Pesë vitet e fundit kanë qenë me sfida të shumta që mund të prekin çdo lider: nga protestat virulente ndaj çmimit të karburantit nga grupi i Jelekëve të Verdhë – të njohur në mbarë botën për jelekët e verdhë fluoreshentë – deri te grevat e transportit më pak virulente por prap të forta që kanë zgjatur për muaj të tërë, që pushuan vetëm pasi u eklipsuan nga fillimi i pandemisë globale të koronavirusit në pranverën e vitit 2020.

Krahas këtyre ishin edhe debatet e Brexit-it, sfidat e vazhdueshme dhe serioze të klimës dhe inflacioni në rritje që tani ka shkaktuar dyfishimin e çmimeve të gazit. Sikur kjo të mos mjaftonte, lufta e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë e ka kthyer botën përmbys dhe ka shkaktuar që rreth 4 milionë refugjatë ukrainas të vërshojnë në Evropë, përfshirë Francën.

Personi i ardhshëm që do të mbajë postin më të lartë të vendit do të duhet të jetë në gjendje t’i trajtojë të gjitha këto, si dhe një mori çështjesh, nga shqetësimet bujqësore te pjesëmarrja e Francës në NATO, nga konfliktet kufitare deri te emigracioni. Nuk mungojnë po ashtu debatet nxitëse nga të dyja palët për t’i hedhur benzinë zjarrit politik.

Pavarësisht se shumë qytetarë francezë mendonin se Macron rezultoi i dobët gjatë pandemisë dhe nuk arriti t’i eliminonte shqetësimet mjedisore, presidenti u shpall favorit nga sondazhi i 1 prillit i kryer nga gazeta franceze Le Figaro. Ai udhëheq me 28,2 për qind, i ndjekur nga Marine Le Pen e partisë Fronti Kombëtar me 19,3 për qind.

“Macron dëshiron të shkatërrojë shëndetin publik, arsimin falas, spitalet dhe planin e pensionit, i cili ishte shumë i favorshëm. Ai po planifikon një sulm ndaj shtetit social. Ne kemi mbështetje kur gjërat bëhen të vështira. Ai dëshiron t’i shkatërrojë të gjitha këto. Unë e urrej vërtet atë”, deklaroi Rita, një vullnetare në rrugë duke bërë fushatë për Jean-Luc Melenchon.

Kandidati i partisë Insoumise, Melenchon, ka zënë vendin e tretë në sondazhe me 14,1 për qind, që konsiderohet nga shumë si ngjashmëria franceze e senatorit amerikan Bernie Sanders me një qasje egalitare që u flet të gjithëve.

Philippe, një inxhinier me profesion që dëshiron të bisedojë rreth politikës gjatë drekës së tij, mendon se Melenchon ka llojin e ideve që po kërkojnë shumë njerëz.

“Unë do të votoj për Jean-Luc Melenchon sepse mendoj se ai ka programin më të mirë për aspektet sociale të shoqërisë, dhe nuk është pro të pasurve dhe kundër imigracionit”, tha ai.

Joçuditërisht, në radhë është kandidati shumë i diskutueshëm Eric Zemmour, i cili aktualisht renditet me 10,6 për qind, ndërsa thirrjet e tij të ekstremit të djathtë kanë bërë që ndjekësit e tij t’i admirojnë “mostolerimet” e tij dhe madje ndonjëherë edhe retorikën raciste. Ai shpesh cilësohet Donald Trump-i francez. Në një tubim në fillim të kësaj jave, ai lejoi anëtarët e audiencës të këndonin “Macron-i vrasës” pa pushim në përgjigje të akuzës së Zemmour-it se Macron pi i lë “kriminelët” e huaj në vend.

Pas Zemmour-it është Valerie Pecresse, presidentja aktuale e Këshillit Rajonal të Ile-de-France, dhe që shihet si neutrale në ton, por e zgjuar.

Ndërkaq, Anne Hidalgo, edhe pse aktualisht është kryetare e bashkisë së Parisit dhe ka mbështetje të fortë nga Partia e saj Socialiste, ka shkaktuar shumë polemika në gjashtë vitet e saj në kryesimin e kryeqytetit të Francës. Qëndrimi i saj kundër makinave ka tronditur drejtuesit, megjithëse me vendosjen e gjerë të korsive për biçikleta në gjithë qytetin i ka vënë në pah shqetësimet mjedisore.

Secili nga kandidatët e mbetur – me përjashtim të mundshëm të Yannick Jadot-it të të Gjelbërve, i cili renditet në vendin e gjashtë me 5,5 për qind – ka arritur rezultate të vogla në sondazhe dhe vështirë duket se do të tubojnë më tepër votues, siç janë: Fabien Roussel i Partisë Komuniste Franceze me 3,4 për qind, Jean Lassalle i Partisë së Rezistencës, Nicolas Dupont-Aignan i partisë “Zgjohu, Francë”, Philippe Poutou i Partisë së Re Antikapitaliste dhe Nathalie Arthaud e Partisë për Luftën e Punëtorëve.

Nga e hëna, çdo kandidat do të ketë kohë të barabartë transmetimi për të folur si në televizion, ashtu edhe në radio, që është e rregulluar në nivel kombëtar.

Macron “zyrtarisht” e nisi fushatën e tij javën e kaluar, duke pritur të zhytej në garë, ndërsa ai ka pasur barrën më të madhe të luftës në Ukrainë në pragun e tij. Gjithçka në Elysee është si zakonisht. Xhandarët qëndrojnë gati në dyert e jashtme të pallatit dhe kalimtarët mendojnë për punët e tyre, ndërsa mbështetësit besnikë si Anne dhe familja e saj presin jashtë një pasdite të së martës me shi për të kapur një paraqitje të shkurtër të kandidatit të saj.

“Çfarë më pëlqen te Macron? Në zgjedhjet e para votova për të, sepse mendova se ishte fillimi i një ideje të re, një ndryshim për Francën. Tani mendoj se ai duhet të bëjë diçka për mjedisin – shumë më tepër”, thotë ajo, duke shtuar se pavarësisht frikës për situatën në Ukrainë, ajo nuk ka frikë nga veprimet që do të ndërmarrë presidenti i saj.

“Kam frikë nga problemet (e armëve) bërthamore dhe se mund të ketë një aksident apo diçka që Putini do ta bënte qëllimisht, por kam besim se pavarësisht se çfarë, presidenti Macron do të përpiqet të bëjë diçka”, shton ajo.

Macron është presidenti aktual i Bashkimit Evropian, një rol me rotacion midis 27 shteteve anëtare që ai sapo e mori në janar dhe që vjen me një përgjegjësi për t’u siguruar që Evropa të qëndrojë e sigurt nga dëmtimi ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë hyri në javën e pestë dhe udhëheqësit evropianë diskutojnë shpërndarjen e ndihmave ushtarake dhe humanitare.

Ndër çështjet kryesore të Macron-it janë përpjekja për një pension më të drejtë (ai nuk e ka harruar debatin e pensioneve që shkaktoi protestat e jelekverdhëve, por u pengua nga pandemia), ulja e varfërisë dhe ndihma ndaj francezëve për të përdorur automjete ekologjike dhe ekonomike.

Votuesit si Rita mendojnë se nevojiten ndryshime shumë më të thella, në një nivel me shumicë.

“Unë do të kisha votuar për Poutou nëse nuk do të isha për Melenchon. Ai është një revolucionar dhe kjo është ajo që na duhet: një revolucion”, shprehet ajo.

Kategoritë
BotaLajme