Zgjedhjet në Francë/ Konservatorët marrin gati 27% të votave, 10% partia e Makronit

Presidenti francez, Emanuel Makron dhe e djathta ekstreme nuk morën mbështetjen e pritur në raundin e parë të zgjedhjeve që shihen si përgatitore për presidencialet e 2022-it.

Protagonistët kryesorë humbën peshë politike në garën rajonale të së dielës, duke ua kaluar atë republikanëve.

Partia ultra-e-djathtë e Marin Lë Penit parashikonte të fitonte 6 nga 13 rajonet e Francës, por përfundoi vetëm me një të tillë.

Politikania Lë Pen që synon postin e presidentit Makron tha e zhgënjyer se rezultati u ndikua prej shkallës së lartë të abstenimit, dhe ftoi qytetarët të votojnë më gjerësisht në raundin e dytë.

“Kur abstenoni nuk e ndëshkoni atë që ka pushtetin, por e lini atje ku është. Duhet të shpenzoni 5 minuta që të bëni zërin tuaj të dëgjohet, për njerëzit që vuajnë, që aspirojnë të renë, që të shtroni idetë tuaja, e kjo nuk është veç e drejta por detyra qytetare e çdokujt.”

Ndërsa konservatorët morën gati 27 për qind të votës dhe partia e Lë Penit, 19 për qind, partia 5-vjeçare e presidentit Makron siguroi 9 për qind më pak mbështetje lokale.

Interesi për pjesëmarrjen në votime ishte i ulët dhe 67 për qind nuk shprehën qëndrim.

“Është një katastrofë. Është e vërtëtë që ka mungesë motivimi, por ky është faji i politikanëve që nuk përpiqen t’i motivojnë njerëzit, sepse jemi ne që i kemi në dorë.”

Zgjedhjet rajonale në Francë u shtyjnë me tre muaj për shkak të pandemisë dhe të dielën vijon raundi i dytë për mbi 4 mijë poste lokale.

Kategoritë
BotaLajme