Zjarre edhe në Itali, digjen çadrat në plazh

Zjarrfikësit në Itali thanë të shtunën se janë duke luftuar me zjarret për të dytën ditë radhazi në Sicili. Flakët kanë arritur në qytetin Katania, duke i detyruar njerëzit që të ikin nga shtëpitë, ndërsa një aeroport u mbyll përkohësisht.

Zjarrfikësit thanë se kanë zhvilluar 250 operacione në Sicili gjatë 24 orëve të kaluara, 50 prej tyre vetëm në Katania. Qyteti i famshëm për arkitekturën e vet të stilit barok ndodhet buzë Malit Etna, në pjesën lindore të ishullit të Sicilisë.

Zjarret në Katania arritën deri në bregdet, duke e shkatërruar qendrën e pushimeve “La Capannina”, ku u panë çadra dhe shtretër të djegur, shkruan Reuters

Me temperatura deri në 40 gradë, era e ngrohtë i ka përhapur flakët edhe në pjesë të tjera të ishullit. Zjarre kanë shpërthyer edhe në provincën e Palermos, duke bërë që hiri të bie në qytet. Më herët zjarre pati edhe në pjesë të tjera të Italisë, si ishulli Sardenja. Autoritetet italiane u detyruan të kërkonin ndihmë nga Bashkimi Evropian, i cili të hënën dërgoi katër aeroplanë për shuarjen e zjarrit, pasi mbi 350 persona u detyruan të evakuohen.

Selia e Fondit Botëror të Jetës së Egër tha të shtunën se gati 20.000 hektarë tokë në Sardenjë janë prekur nga zjarret, të cilat kanë mbytur kafshë dhe kanë shkatërruar drunj të vjetër me shekuj.

Kategoritë
BotaLajme