Zjarrfikësi heroik turk rrezikon jetën e tij për të shpëtuar vajzën afgane

Yücel Küçük pësoi sulm në zemër pasi ia dha maskën e tij vajzës së prekur nga tymi në zjarrin në një shtëpi në Turqinë lindore.

Një zjarrfikës në Turqinë lindore ka vazhduar trajtimin e tij në spital pasi ia dha gazmaskën e tij një vajze afgane që kishte humbur vetëdijen në një zjarr që kaploi një shtëpi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi kaloi dy net nën kujdes intensiv, mjekët në Spitalin Kërkimor Universitar Ataturk në provincën Erzurum e transferuan zjarrfikësin Yücel Küçük në një dhomë spitali sot.

Küçük kishte pësuar sulm në zemër dhe ishte ekspozuar ndaj tymit në një shtëpi lokale ku një zjarr shpërtheu të hënën, i cili bllokoi një familje afgane brenda.

Duke folur për AA, Küçük tha se ata mbërritën në vendngjarje pasi morën një telefonatë për zjarrin.

“U futëm (në shtëpi), njerëzit brenda ishin prekur nga tymi, ishin pa ndjenja. Në një refleks në atë moment hoqa maskën kundër gazit dhe me ndërgjegje ia dhashë vajzës pa ndjenja, e cila ishte në gjendje të keqe. U ekspozova ndaj tymit pasi e dhashë maskën në ambient të mbyllur dhe u preka shumë nga tymi”, tregoi ai.

Küçük tha se ai nuk kishte asnjë sëmundje më parë, por gjendja e tij u përkeqësua pas zjarrit. Kur ai u dërgua në spital, u pa se enët e zemrës së tij ishin bllokuar dhe iu vendos një stent, tregon ai.

“Kur pashë fëmijët afganë pa ndjenja në shtëpi, më erdhën në mendje fëmijët e mi. Detyra jonë është t’i shpëtojmë, arsyeja jonë pse shkuam atje është e qartë. Ne duhej të shpëtonim ata që ishin të lënduar brenda. Jam i lumtur që shpëtova fëmijët. Nuk jam penduar kurrë që dhashë gazmaskën time. Nëse ndodh përsëri, do ta hiqja sërish maskën”, tha Küçük.

Kategoritë
BotaLajme