ZRRE propozon rritje të çmimit të energjisë, Qeveria zotohet të subvencionojë koston shtesë deri në 600 kWh

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka propozuar që të rritet çmimi i energjisë elektrike dhe të ndahet faturimi në blloqe për ata që shpenzojnë deri 600 kWh dhe ata që shpenzojmë mbi 600 kWh.

Propozimi i ZRRE-së është që kostot shtesë të mbulohen përmes një strukture tarifore me dy blloqe, të ndara në kufirin 600 kWh, pasi deri në këtë nivel të konsumit mujor konsumatorët mund të furnizohen nga kapacitetet vendore dhe me tarifë mesatare të ngjashme me tarifën ekzistuese. Në këtë mënyrë, tarifat për konsumin në bllokun e parë reflektojnë koston mesatare të ofrimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ndërkaq për konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kWh , ZRRE-ja thotë se duhet importohet energji, pasi kjo nuk mund të ofrohet nga kapacitetet vendore. Rrjedhimisht tarifa për këta konsumatorë duhet të reflektojë çmimin e importit për energjinë e konsumuar mbi 600 kWh.

ZRRE-ja kështu e sqaron rritjen e çmimit dhe ndikimin në fatura.

“Propozimi i ZRRE-së, që reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentin e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiakë. Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët. Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 € në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 € në muaj. Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për 26.98 €, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me 50.89 €”, thuhet në këtë raport.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës është zotuar se ka alokuar 75 milionë €, për të zbutur ndikimin në tarifat e energjisë elektrike në këtë vit për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike.

Ndikimi i subvencionit të Qeverisë, sipas raportit të ZRRE-së, ul presionin për rritjen e tarifës, ku tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiakë deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh reduktohet nga 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar jashtë saj, në 0.14 euro/kWh për energjinë në tarifë të lartë dhe 0.06 euro/kWh për energjinë jashtë saj. /zeri

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi