Zv/kryeministri Bislimi: Kemi rritur numrin e të punësuarve në Kosovë

“Në Kosovë është numri më i madh i të punësuarve ndonjëherë në historinë e Kosovës dhe është për 9.300 më i lartë sesa në momentin kur e kemi marrë qeverisjen në mars”, tha zv/kryeministri Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Kosova aktualisht ka numrin më të madh në histori të të punësuarve, raporton Anadolu Agency (AA).

Bislimi, i cili mori pjesë në një tryezë diskutimi të organizuar nga Fondacioni MDA me temë “Dialogu Publiko-Privat”, tha se Qeveria e Kosovës, që nga marsi kur u zyrtarizua si ekzekutiv, ka pasur në prioritet uljen e dëmeve nga pandemia, sundimin e ligjit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ku në këtë të fundit është shënuar progres.

“Në rrafshin ekonomik e kemi kuptuar mesazhin dhe rëndësinë e krijimit të vendeve të reja të punës. Statistikat që i kemi marrë javën e kaluar tregojnë që sot në Kosovë është numri më i madh i të punësuarve ndonjëherë në historinë e Kosovës dhe është për 9.300 më i lartë sesa në momentin kur e kemi marrë qeverisjen në mars të vitit 2021, por kjo nuk do të thotë që nuk ka ende hapësirë për ta shtuar punësimin dhe për ta rritur formalizimin”, tha Bislimi.

Ai para të pranishmëve, shumica e të cilëve përfaqësues të organizatave që merren me ekonomi, tha se për të arritur të ndërtohen politika në favor të rritjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë duhet databazë e mirë e të dhënave, por, në këtë aspekt Kosova sipas tij “ka çaluar vazhdimisht”.

Driton Dalipi, themelues i Fondacionit MDA, misioni i së cilës është që të nxisë një revolucion sipërmarrës në Kosovë si dhe të ndihmojë rindërtimin e ekonomisë në zhvillim, tha se Kosova aktualisht është e fundit në rajon sa i përket eksporteve.

Dalipi tha se për përmirësimin e kësaj gjendjeje, duhet një bashkëpunim i sinqertë mes qeverisjes lokale dhe qendrore me sektorin privat.

Në këtë tryezë diskutimi u bënë publike edhe disa të dhëna nga projekti “Studimi Konkurrues në Kosovë”, me qëllim fasilitimin e dialogut publiko-privat bazuar në të dhëna në arsim, ekonomi dhe mjedisin biznesor në vend.

Kategoritë
LajmeVendi