Zv.kryeministri Bislimi priti në takim Ambasadoren franceze, dhe delegacionin e Agjencisë Franceze për Zhvillim

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel dhe një delegacion të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), të përbërë nga z. Dominique Hautbergue, udhëheqës i Zyrës Rajonale së AFD-së për Ballkanin Perëndimor, znj. Cécilia Maronnier, atashe e bashkëpunimit në Ambasadën Franceze në Kosovë, znj. Florence Dobelle, shefe e rajonit për shërbim ekonomik, dhe znj. Mirela Mata, udhëheqëse e Misionit strategjik dhe operacional të AFD-së për Shqipëri dhe Kosovë.

Ambasadorja Butel dhe përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) e uruan zëvendëskryeministrin Bislimi për detyrën dhe përgjegjësitë e reja dhe theksuan se Ambasada e Francës në Kosovë do të vazhdojë të përkrahë përgatitjet për integrimin e Republikës së Kosovës në BE, si dhe për procesin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) prezantuan misionet dhe punën e këtij institucioni, i cili së fundmi ka filluar të operojë edhe në Ballkanin Perëndimor. AFD ka për qëllim përkrahjen e Ballkanit Perëndimor në integrimin rajonal dhe në BE, rritjen ekonomike si dhe fuqizimin e shoqërisë përmes zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas z. Hautbergue, kjo agjenci ka për synim investimin deri në​ 400 milionë euro në rajon deri në fund të këtij viti.

Zëvendëskryeministri Bislimi duke i falënderuar përfaqësuesit dhe ambasadoren për vizitën, u shpreh se Kosova do të punojë me të njëjtin përkushtim në intensifikim të marrëdhënieve bilaterale në rrafshin politik dhe ekonomik. Bashkëbiseduesit përfunduan se programi qeveritar dhe prioritetet e AFD-së kanë shumë pika të përbashkëta, gjë që krijon mundësi të mëdha bashkëpunimi mes të dy palëve në të ardhmen e afërt.

Kategoritë
LajmeVendi