Zv/ministri turk i Kulturës dhe Turizmit takon botuesit në Maqedoninë e Veriut

Duke informuar rreth Festivalit të Filmit Ballkanik që do të organizohet në fund të vitit në Stamboll, Demircan tha se kanë ardhur në këtë rajon për të gjetur partnerët e tyre dhe të shikojnë se kë mund ta ftojnë

Zv/ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Ahmet Misbah Demircan, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut është takuar me botuesit e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).

Paraprakisht Demircan vizitoi përfaqësinë e TRT-së në Shkup, ku u informua nga përfaqësuesi i TRT-së në Shkup, Ömer Rahmi Serim, lidhur me aktivitetet e institucionit në këtë vend.

Në një deklaratë të përbashkët për TRT dhe AA, Demircan vlerësoi vizitat e tij në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi.

Ai theksoi se Ballkani ka një vlerë të veçantë për kulturën turke, duke theksuar praninë e vlerave të përbashkëta kulturore dhe historike.

Demircan tha se si Ministri e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë kanë aktivitete të shumta në Ballkan përmes Institutit Yunus Emre, Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim (TIKA), si dhe përmes zyrave konsulente të kulturës dhe turizmit.

Zv/ministri turk tha se në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi kanë zhvilluar disa takime lidhur me kinemanë dhe botuesit.

“Synimi ynë është të gjejmë një platformë që do të nxjerrë në pah bashkëprodhimet, festivalet e përbashkëta, ndërveprimin e ndërsjellë dhe t’i forcojë këto lidhje, veçanërisht përmes kinemasë. Siç e dini Turqia është shume e fuqishme në sektorin e kinemasë. Eksportojmë kinema në 152 vende. Prandaj është shumë e vlefshme për ne që ta konsolidojmë këtë terren në këto gjeografi të cilës i përkasim”, u shpreh ai, duke treguar se janë takuar me botuesit dhe përkthyesit nga turqishtja në gjuhët e rajonit dhe anasjelltas.

Duke informuar rreth Festivalit të Filmit Ballkanik që do të organizohet në fund të vitit në Stamboll, Demircan tha se kanë ardhur në këtë rajon për të gjetur partnerët e tyre dhe të shikojnë se kë mund ta ftojnë.

Më pas zv/ministri u takua me botuesit me të cilët shkëmbyen mendime lidhur me projektet e përbashkëta.

Kategoritë
BotaLajme