Zvicra mbështet Kosovën me 86 milionë euro

Zvicra prezantoi pasditen e sotme Programin e ri të Bashkëpunimit për Kosovën për vitet 2022-2025 ku është konfirmuar ndarja e 86 milionë eurove shtesë të cilat janë paraparë për të mbështetur projektet ekonomike, zhvillimin e demokracisë dhe në kapacitete ujore. Ky program thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja.

Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, deklaroi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vendit që të ecin përpara.

Ne si Zvicër jemi këtu si ambasadë, duke përfshirë edhe Bashkëpunimin Zviceran për Zhvillim, dhe siç e dini bashkëpunimin në fillim, ne ishim këtu si një nga vendet që e njohën Kosovën që në periudhën e parë të atij procesi. Ne jemi këtu që nga ajo kohë, që nga viti 1999 dhe do të qëndrojmë, por sigurisht që karakteristikat e bashkëpunimit tonë ndryshuan shumë gjatë viteve dhe natyrisht, kjo është jashtëzakonisht pozitive. Pra, nga tetë shtete Kosova u bë realisht partner bashkëpunimi, dhe ky bashkëpunim do të zhvillohet më tej në të ardhmen” tha Kolly

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu tha se Kosova ka thelluar bashkëpunimin me Zvicrën në aspektin politik dhe ekonomik.

“Jemi mirënjohës për ndihmën humanitare që shtetit zviceran i ka dhënë Kosovës qysh prej vitit 1999-të, dhe tani gradualisht duke u bazuar në dekada të miqësisë dhe marrëdhënieve të ngushta midis dy vendeve po shënojmë partneritet me rastin e lansimit të Programit të ri të Bashkëpunimit zviceran për Kosovën për vitet e ardhshme, për vitet 2022-2025. Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona, kanë nisur shumë vite më parë, rrugëtimi historik i marrëdhënieve tona ekonomike, politike, shoqërore dhe njerëzore. Këto marrëdhënie miqësore diplomatike dhe njerëzore mes dy popujve sot janë më solide dhe më të fuqishme se kurrë më parë”, u shpreh Aliu.

Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, Ruth Huber, bëri të ditur se këto investime tregojnë miqësinë mes dy vendeve pasi që Zvicra është e para që ka njohur Kosovën si shtet.

“Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Kosovës nuk janë një histori e zakonshme. Historia në fakt na ka afruar më shumë. E kam fjalën këtu për diasporën e madhe kosovare që jeton në Zvicër dhe që ka kontribuar në zhvillimin dhe prosperitetin e vendeve tona, për refugjatët e shumtë që kërkuan strehim në Zvicër, gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. Dhe, po i referohem faktit që Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu Republikën e Kosovës në vitin 2008 si shtet të pavarur, Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025, është shprehje e partneritetit shumëvjeçar ndërmjet dy vendet tona, është gjithashtu një ilustrim i synimit tonë për të ofruar mbështetjen tonë të fuqishme për Kosovën me 86 milionë euro shtesë për katër vitet e ardhshme” deklaroi Huber.

Huber ka folur për ndikimin që kanë pasur investimet e Zvicrës në Kosovë, duke potencuar se janë hapur vende të punës dhe është rritë përmirësimi në qasje në ujë.

“Gjatë 20 viteve të fundit, përpjekjet e Zvicrës dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët e saj në Kosovë kanë bërë të mundur arritjen e progresit të konsiderueshëm në disa sektorë të rëndësishëm, të identifikuar si fusha prioritete nga vetë institucionet e Kosovës, për shembull, në vitet e fundit, mbështetja e Zvicrës kontribuoi për të arritur rezultatet e mëposhtme: Më shumë se 600 mijë njerëz përfituan nga përmirësimi i qasjes në ujë të pijshëm në zonat rurale, një numër po aq i madh i qytetarëve kanë qasje në shërbime më të mira komunale, rreth 10,000 njerëz gjetën punë, dhe mbi 1 milion njerëz, që është më shumë se gjysma e gjithë popullsisë së Kosovës kanë mundësinë të përmirësojnë shëndetin e tyre duke qenë më të informuar se si të parandalohen sëmundjet kronike”, tha ajo.

Huber përfundoi duke thënë se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për të mbështetur qytetarët e Kosovës për të ecur përpara.

Kategoritë
Vendi