Zyrtarët e lartë të BE-së vizitojnë kryeqytetin ukrainas dhe qytetin Bucha

“Ishte e rëndësishme të filloja vizitën time në Bucha. Sepse në Bucha u shkatërrua njerëzimi ynë”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Dy zyrtarë të lartë të BE-së vizituan kryeqytetin e Ukrainës si dhe qytetin Bucha.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Twitter deklaroi se ishte në Bucha së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Ishte e rëndësishme të filloja vizitën time në Bucha. Sepse në Bucha u shkatërrua njerëzimi ynë. Mesazhi im për popullin ukrainas: Ata që janë përgjegjës për mizoritë do të sillen para drejtësisë. Lufta juaj është lufta jonë. Unë jam sot në Kiev për t’ju thënë juve që Evropa është në anën tuaj”, u shpreh Von der Leyen në Twitter.

Ndërkohë, Borrell tha se gjatë vizitës së tij ishte me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.

“Ne dëshmojmë për imazhet tronditëse në Bucha sot me kryeministrin Denys_Shmyhal. Shkatërrim, mizori të kryera nga Rusia dhe çmim i papërshkrueshëm i paguar nga populli i pafajshëm ukrainas. Krimet e luftës të kryera nga Rusia në Bucha dhe gjetkë duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht”, u shpreh ai në Twitter.

Borrell tha gjithashtu se Misioni Këshillimor i BE-së në Ukrainë do të mbështesë Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës në ofrimin e trajnimeve dhe pajisjeve për të mbështetur hetimin dhe mbledhjen e provave.

“Unë gjithashtu po filloj një projekt me vlerë 7,5 milionë euro për të mbështetur mbledhjen e të dhënave të personave të zhdukur,” shtoi Borell.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe Moska po përballen me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për kryerjen e “gjenocidit” dhe “krimeve të luftës” në Bucha, një qytet afër kryeqytetit Kiev.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat si një “sulm me lajme të rreme”, duke argumentuar se imazhet që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.

Kategoritë
BotaLajme