Zyrtari ukrainas: Rusia goditi teatrin që strehonte civilë në Mariupol

Nënkryetari i bashkisë Sergej Orlov tha se ndërtesa po shërbente si strehë për të paktën 1.000-1.200 njerëz.

Nënkryetari i bashkisë së qytetit juglindor të Ukrainës, Mariupol, tha se një ndërtesë teatri që strehonte gra dhe fëmijë u shënjestrua nga avionët luftarakë rusë sot.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), nënkryetari i bashkisë Sergej Orlov tha se incidenti ka ndodhur vonë pasdite dhe se ende nuk ka informacione të konfirmuara për viktima.

Orlov shtoi se ndërtesa po shërbente si strehë për të paktën 1.000-1.200 njerëz.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme Anton Gerashchenko tha në Telegram: “Okupatorët (rusët) hodhën një bombë shumë të fuqishme në teatrin e dramës në Mariupol”.

Forcat ruse gjithashtu vazhduan sulmet e tyre në zonat e banuara të Kievit, si dhe në qytetet Kharkiv, Odesa dhe Zaporizhzhia deri të martën vonë dhe herët sot, sipas autoriteteve ukrainase.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Të paktën 726 civilë janë vrarë dhe 1.174 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Më shumë se 3 milionë refugjatë kanë ikur në vendet fqinje, sipas OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme