Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër. Sipas kësaj partie opozitare, diskutimi për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës është i panevojshëm dhe se qeveria po përpiqet t’i shmanget përgjegjësive.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, ka thënë se qeveria do të duhej të kishte koordinim më të mirë për t’i bindur vendet e QUINT-it, për mos lejimin e mbajtjes së referendumit.
Tahiri: Organizimi dhe mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përbën një shkelje të sovranitetit
“Qëndrimi ynë tashmë i njohur ku për ne organizimi dhe mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përbën një shkelje të sovranitetit dhe të rendit tonë kushtetues. Në këtë kuadër, ne i kemi paraprirë dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi. Do të dëshironim që Qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me këtë çështje, sepse kërkesa nga Republika e Serbisë drejtuar Republikës së Kosovës përmes OSBE-së për organizimin e këtij referendumi, ka ardhur gjatë dhjetorit”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe do të duhej të kishte një ofensivë diplomatike të qeverisë dhe presidentes, në mënyrë që t’i bindin partnerët se një kërkesë e tillë cenon rendin kushtetues.
“Fatkeqësisht qeveria ka vendosur të hesht dhe të mos e bëjë një gjë të tillë. Por përkundër kësaj, kjo çështje tashmë ka epilog. Megjithatë, edhe pse e kemi një qëndrim të qeverisë, qeveria dhe mazhoranca, kanë bërë thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër, për ta shtruar këtë temë edhe për debat brenda kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës e sheh krejtësisht të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi dhe nuk do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme. Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtejmë. Prandaj, e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, e cila është përpjekje për shmangie të përgjegjësisë nga ana e qeverisë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri shtoi se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve është përgjegjësi kushtetuese e qeverisë dhe jo e kuvendit.
Tahiri: Rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me rezoluta:
“Për më tepër, rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me rezoluta. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar mbrapa vendimeve të saj”, ka thënë Abelard Tahiri.
Nesër në orën 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për të ndaluar veprimet e Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës.