Melihate Tërmkolli nga LDK-ja, gjatë seancës së Kuvendit kur u shpall pavarësia e Kosovës, ishte deputetja e vetme që nuk u ngrit në këmbë gjatë intonimit të himnit të ri të Republikës. Para nëntë vitesh ajo injoroi himnin si dhe flamurin (me hartë dhe yje) në shenjë revolte ndaj institucioneve të cilat anashkaluan dhe përbuzën propozimin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Ky i fundit ishte ideatori i flamurit të Dardanisë si dhe himnit (“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”). Në një rrëfim për “Indeksonline”, ajo shpalos disa prej prapaskenave të kësaj seance historike të cilin e konsideron moment dhe ndjenjë të veçantë.
“Nuk bëhej thjesht për një ditë, datë ose gjeneratë njerëzish, por shumë gjenerata që kishin punuar, luftuar dhe sakrifikuar për me bo Kosovën shtet të pavarur. Përkujtim gjithë atyre sakrificave që janë bërë ishte ndjenjë e mirë të jesh pjesë e asaj ngjarje të madhe. Bile, bile, kjo është ngjarje e veçantë sepse Shqipëria në vitin 1912 është shpall e pavarur përgjysmë ndërsa Kosova e ka vendin e saj të veçantë”, është shprehur ajo.
Tërmkolli thotë se ka votuar kundër himnit dhe flamurit. Megjithatë, deputetja e LDK-së i vlerëson simbolet shtetërore, përderisa me shumicë votash janë miratuar në Parlament.
“Atë ditë nuk jam qu në këmbë. Kam pas propozime tjera. Unë kam kërkuar institucionalizimin e himnit të Kosovës dhe flamurit të Dardanisë por me gjasë atë kohë ata njerëz filluan edhe ta djegin atë flamur. Por fatkeqësisht edhe që jam kogja e bindur që janë penduar ose do të doja që të pendohen ndonjëherë sepse ai ishte një flamur që përfshinte të kaluarën, të ardhmen tonë”, është shprehur ajo.
Një pjesë të fajit për mosrealizimin e “amanetit të Rugovës” ia len edhe bashkëpartiakëve të saj.“Këta komandantat (OVL-UÇK) që e kanë djeg. Por edhe një pjesë e LDK-së s’ka dashur ta shtyjë këtë projekt, udhëheqja e asaj kohe por edhe kjo udhëheqje pothuajse njësoj. Premtimet për ta kthyer flamurin e Dardanisë nuk është përmend më asnjëherë. Mirëpo, besoj se një ditë ajo do të bëhet”, ka thënë Tërmkolli.