10 mijë euro për t’u regjistruar si shtetas i Kosovës, Policia arreston dy persona për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për ‘dhënie ryshfeti’ dhe ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’.

Sipas njoftimit, është zbuluar se i dyshuari i parë, shtetas i Maqedonisë, ka dhënë 10 mijë euro, me qëllim të regjistrimit si shtetas i Republikës së Kosovës.

“Në këmbim të regjistrimit të tij si shtetas i Republikës së Kosovës në Komunën e Vitisë, kishte paguar shumën prej 10000,00 (dhjetë mijë euro) përmes një të dyshuari tjetër i cili ndodhet në kërkim policor, me qëllim të regjistrimit të tij në sistemin elektronik të gjendjes civile, duke u pajisur kështu me dokumente personale si: certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim nga ana e të dyshuarit mashkull kosovar me inicialet M. D. viti i lindjes 1962.”

Lidhur me rastin, personat e dyshuar të identifikuar janë intervistuar, ku ndaj të dyshuarit të parë është iniciuar rasti ‘dhënie e ryshfetit’ si dhe i është sekuestruar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës e po ashtu i është anuluar regjistrimi nga Drejtoria e Administratës/Sektori i Gjendjes Civile, Viti.

Ndaj të dyshuarit të dytë i cili ka kryer shërbimin e regjistrimit të kundërligjshëm të të dyshuarit të parë është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe pas aktvendimit të prokurorit kompetent mbi ndalim, që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kategoritë
LajmeVendi