111 oficerë të rijnë i shtohen shërbimit korrektues, Kurti i quan garantues të drejtësisë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbajtur të premten ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së 45-të të kadetëve, e cila shënon përmbylljen e suksesshme të trajnimit bazik për 111 oficerë korrektues, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me diplomimin e kësaj gjenerate, vendi është duke forcuar edhe më shumë sistemin korrektues.

Kurti të diplomuarit i ka quajtur garantues të drejtësisë, duke shtuar se përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, janë bërë hapa të rëndësishëm  në forcimin e sigurisë,  rehabilitimit e të dënuarve dhe përmirësimit e kushteve të punës për zyrtaret korrektuese.

“Me diplomimin e gjeneratës së 45 të zyrtareve korrektues ne e forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionit. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese. Diplomimi i 111 kadetëve sot nuk është thjeshtë një ceremoni por një dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të sigurt, të fuqishëm dhe të drejtë. Përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimit e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi punësuar njësitë e specializuara dhe kemi zgjedhur programe rehabilituese për të burgosur”, tha Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me hapat që kanë ndërmarr si qeveri është shtuar numri i grave që janë punësuar në shërbimin korrektues të Kosovës.

“Ky institucion nuk është thjeshtë një hallkë në zingjrin e drejtësisë, por një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor”, ka thënë ajo.

Ismajl Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë se zyrtarët korrektues luajnë një rol kyç në forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.

“Diplomimi juaj nuk është një arritje personale por është një fitore edhe për ata që u kanë qëndruara pranë. në këtë udhëtim keni marr dije dhe vlera që do t’iu udhëheqin në një mision fisnik dhe me përgjegjësi të lartë. Zyrtari korrektues nuk është thjeshtë zbatues i rregullave, por një faktor i rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe socializimit të personave të privuar nga liria.  Ju do të luani një rol kyç në forcimin e sistemimit të drejtësisë në vendin tonë. Numri i rasteve të para dënimit të kontrabandës është rritur ndjeshëm. Programet rehabilituese janë zgjeruar. Është rritur siguria brenda institucioneve korrektuese”, ka thënë ai.

Përfaqësuesja e kësaj gjenerate, Filloreta Osmani Ademi, ka thënë se me profesionin që kanë ata kontribuojnë në transformimin e sistemit korrektues në një mekanizëm që ndihmon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

“Nuk është vetëm një titull apo një vend pune, por një mision i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë qytetarët tanë. Puna jonë si zyrtarë korrektues shkon përtej aspektit të sigurisë dhe disiplinës në institucionet korrektuese. Ne kemi një rol kyç në procesin e rehabilitimit dhe ri integrimit të personave të privuar nga liria. Kjo është një përgjegjësi që kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe ndjeshmëri, etike dhe vendosmëri për të trajtuar çdo individ me dinjitet dhe respekt. Kemi kuptuar se të qenit zyrtar korrektues nuk do të thotë vetëm të zbatojmë ligjin, por edhe të kontribuojmë në transformimin e sistemit korrektues në një mekanizëm që ndihmon për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë”, ka thënë ajo.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi