18 të akuzuar mbrohen në heshtje në rastin për transportim, ndërmjetësim dhe shitje të armëve e falsifikim të parasë

18 të akuzuar për transportim, ndërmjetësim dhe shitje të armëve, falsifikim të parasë dhe armëmbajtje pa leje, janë mbrojtur në heshtje të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.

Të pandehurit Samir Ramic, Besim Metaj, Sefadin Kabashaj, Skender Arifi, Adhurim Fazlija, Arton Cenaj, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Petrit Musaj, Fadil Pepic, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Agron Maliqi, Hariz Asllani dhe Bekim Ukaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve janë mbrojtur në heshtje.

Po ashtu, në heshtje është mbrojtur edhe Ifeta Ramic, e cila përveç veprës së lartcekur e cila po akuzohet për falsifikim të parasë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i akuzuari Feratbegu Aliu i cili po akuzohet për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve dhe i akuzuari dhe Salih Kutleshi që po ngarkohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve janë deklaruar.

I akuzuari Feratbegu Aliu gjatë deklarimit të tij ka thënë se, ka mbi 20 vite që merret me shitblerje të veturave, e një pjesë të tyre i ka marr me kompensime.

Aliu tutje ka thënë se, të akuzuarit e tjerë nuk i njeh fare, përveç Halim Neziri pasi sipas tij, kanë bërë një shitblerje të veturës ku Neziri ia ka shitur një “Audi” dhe pas disa muajve një “Citroen” apo Renault” ka kërkuar të bëjnë ndërrim me “Audin”, mirëpo s’kanë rënë dakord sa i përket çmimin dhe e kanë lënë.

Ndërsa, sa i përket të lartcekurit ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk ka pas diçka me të, i vjen keq që është në gjykatë, si dhe i vjen keq që me rëndu të njëjtin pasi nuk ishte aty ai dhe nuk e di me çka merret ai person.

I pyetur nga avokati mbrojtës i tij, Jeton Ibrahimi se a posedon armë, i akuzuari Aliu ka deklaruar se i posedon dy armë me leje nga organi kompetent që është ende valide por që sipas tij, deklaratën e tij që ka dhënë për këtë rast prokuroria nuk i ka vlerësuar dhe as nuk i ka marr parasysh ato çfarë ai ka folur.

Sipas tij, me armët e cekura del në gjueti me shoqëri pasi është edhe gjuetar.

Ndërsa, sa i përket këtyre armëve tha se nuk i ka përdorur askush armët e tij përveç tij, kurse me rastin e bastisjes, i akuzuari Aliu ka thënë se vet ia ka dhënë armët.

I njëjti ka shtuar se, dy herë kanë bërë kërkesë për t’ju kthyer armët por të njëjtat nuk janë kthyer.

Më pas i njëjti është pyetur nga kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj se a qëndron pranë deklaratave që ka dhënë në Prokurorinë Speciale më 25 maj 2021 dhe procesverbalit të marrjes në pyetje në Stacionin Policor më 14 prill 2021.

Me këtë rast i akuzuari Aliu tha se deklaratën në polici e pranon por ka mundësi që diçka ka harruar.

“Ju kisha lut mos me merrni në qaf, çka të thotë drejtësia nëse jam gabim e vuj, mirëpo në këtë rast nuk jam aspak fajtor”, ka thënë në fund Aliu.

Pas tij, është dëgjuar i akuzuari Salih Kutleshi, i cili gjatë deklaratës së tij ka thënë se, për këtë rast ka dhënë deklaratë në polici dhe prokurori e që qëndron pranë tyre.

Kutleshi ka shtuar se nuk ka mbajt as përdorë ndonjë herë armë, ndërsa arma që i është gjetur ka qenë e babit të tij të ndjerë, me ç’rast ka thënë se ka qenë me leje.

E për të cilën ka thënë se e ka dorëzuar vet me rastin e kur policia ka shkuar për të kontrolluar.

Paraprakisht, në këtë seancë u bë administrimi i provave nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kurtaj, ndërsa pas administrimit të tyre, mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan vërejtjet e tyre që kishin në kuptim të mbrojtjes.

Avokati Asdren Hoxha, mbrojtësi i të akuzuarit, Samir Ramiç tha se, ka vërejtje në kuptim të mbrojtjes, me ç’rast kërkoj nga gjykata të vlerësoj këto prova individualisht që sipas tij, nuk kanë të bëjnë në kontest të akuzës me të mbrojturin e tij.

Deklarimin e avokatit Hoxha sa i përket vërejtjeve në kuptim të mbrojtjes e mbështetën edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve tjerë.

Përpos vërejtjeve të dhëna në kuptim të mbrojtjes, avokati Haxhi Millaku mbrojtës i të akuzuarit, Skender Arifit nga gjykata kërkoj që të veçohet procedura ndaj të mbrojturit të tij për shkak të ekonomizimit të procedurës, me arsyetimi se vepra për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij bëhet fjalë për një armë që është dorëzuar nga vajza e tij e nuk ekziston lidhja kauzave mes veprës për çka ngarkohet dhe të akuzuarve tjerë.

Ndërsa, avokati Osman Havolli duke iu referuar aktakuzës faqes shtatë në paragrafin e parafundit, ku thuhet se “janë konfiskuar 2 mijë euro”, sipas tij këto të holla janë ardhur nga jashtë e me rastin e pyetjes nga polica i akuzuari Fadil Pepiq vet i ka lajmëruar tek drejtuesit, me ç’rast gjykatës ia dorëzoj si provë për administrim transfertë bankare.

Kurse, avokati Avdi Dinaj, mbrojtës i të akuzuarit Sefedin Kabashaj, gjykatës ia dorëzoj trajnimet që ka kryer i akuzuari për armët, ku kërkoj të administrohen si prova.

Lidhur me këtë, prokurorja Fikrije Zejnullahu deklaroj se përkundër faktit që provat e propozuara sot nga ana e avokatët Havolli për të akuzuarin Pepiq lidhur me origjinën e parave në shumë prej 2 mijë tani për tani nuk e kundërshton administrimin e kësaj prove.

Zejnullahu nuk e kundërshtoj as propozimin e avokatit Dinaj për administrimin e certifikatave, ndërsa ka shtuar se në fjalën përfundimtare do të shohin cila është vërtetësia e tyre.

Kurse, pas këshillimit kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kurtaj i aprovoi propozimet e mbrojtësve që do të administrohen sa i përket origjinës së 2 mijë eurove si dhe administrimin e trajnimeve.

Gjykatësi Kurtaj tha se, sa i përket gjitha provave materiale që kanë të bëjnë me fuqinë provuese të provës gjykata do t’i vlerësoj më rastin e marrjes së vendimit, ndërsa sa i përket pretendimeve për tu shpallur prova të pa pranueshme përveç avokati që kërkoj për tu veçuar të njëjtën gjykata e refuzoi pasi sipas tij, që kjo provë është konfirmuar dhe vendimi në raport me provat dhe pranueshmërin e tyre ka mbet në fuqi nga gjykata e apelit.

Në këto rrethana, seanca e sotme përfundoj ndërsa, dhënia e fjalës përfundimtare do të bëhet 21 korrik 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 21 janar 2022, Samir Ramic, Ifeta Ramic, Besim Metaj, Sefadin Kabashaj, Fadil Pepic, Petrit Musaj, Arton Cenaj, Adhurim Fazlija, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Hajriz Asllani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Skender Arifi, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Feratbegu Aliu dhe Agron Maliqi akuzohen se kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

Këtë vepër prokuroria pretendon se e kanë kryer nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri me datën 29 shtator 2020, respektivisht deri me datën 14 prill 2021, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, me qëllim të furnizimit, transportimit, këmbimit, ndërmjetësimit dhe shitjes së paautorizuar së armëve, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë të llojeve të ndryshme në mënyrë të paautorizuar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që i pandehuri Samir Ramic, sipas marrëveshjes me të pandehurin Besim Metaj, fillimisht ka siguruar armë të llojeve të ndryshme nga persona tani për tani të panjohur, të cilat i ka mbajtur në shtëpinë e nënës së tij, Ifeta Ramic, ashtu që të pandehurit tjerë Sefadin Kabashaj, Fadil Pepic, Petrit Musaj, Arton Cenaj, Adhurim Fazlija, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Hajriz Asllani, Berat Bajrami, Halil Neziri, Skender Arifi, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Feratbegu Aliu dhe Agron Maliqi, duke qenë në dijeni se të pandeuhrit Samir Ramic, Ifeta Ramic dhe Besim Metaj merren me shitblerjen e armëve dhe të interesuar për blerje të tyre kanë komunikuar fillimisht përmes telefonit me ta duke u marrë vesh për llojin dhe çmimin e armëve dhe municionet e pastaj janë takuar në vende të ndryshme, si restorante, pompa të derivateve e më së shpeshti në shtëpitë e tyre.

Sipas prokurorisë, pas përgjimit dhe vëzhgimit nga ana e personave zyrtarë, me 29 shtator 2020, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të disa prej të pandehurve me ç’rast në shtëpinë e të pandehurës Ifeta Ramic janë gjetur dhe sekuestruar një këllëf i pistoletës, ngjyrë e zezë, pajisje për pastrim të armës, kartëmonedhë 100 euro, pesë pistoleta SOG saëer P365 7.65 mm me nga një karikator, pushkë gjuetie dy tytëshe.

Në shtëpinë e të pandehurit Safedin Kabashaj, thuhet se janë gjetur e sekuestruar pushkë dhjetëshe gjysmë automatike, pushkë e gjatë, gjashtë fishek të pushkës karabinë, gjashtë fishekë të kalibrit 9×19, 7.62, dy fishek të kalibrit 9×17 RËS dhe një palë dylbi. Ndërkaq, në shtëpinë e të pandehurit Adhurim Fazlija thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar një revole e tipit bereta 9mm, 95 fishekë të kalibrit 9×19 dhe dy karikator.

Në shtëpinë e të pandehurit Kujti Sadikaj thuhet se janë sekuestruar 71 fishekë të kalibrave të ndryshëm, kurse në shtëpinë e Hajriz Asllanit një pushke gjuetie Karatay Magnum, 109 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një gëzhojë, pjesë pushke, një pistoletë Zoraki 917-T me një karikator të zbrazur, dhe një këllëf i pushkës së gjuetisë.

Tutje, thuhet se në shtëpinë e Berat Bajramit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me mbishkrim SIG SAUER P 365 ca, 12.65 mm me një karikator, 107 fishekë me mbishkrim S&B 7.65 BR dhe 4 fishekë me mbishkrim MXT Audio 300 20, 9 fishekë të pushkës së gjuetisë me mbishkrim CHEDITT 12 mm plus një fishek me mbishkrim ELOOHI 36 Itali, një pistoletë, një karikator, pistoletë me gaz EKOL special 00 cal. 0 mm me një karikator, katër paketime me nga 60 fishekë me mbishkrimin 7.62CMB 1995, 50 fishekë gazi, 486 fishekë me mbishkrim Auto 300, 200 fishekë me mbishkrim S&B 6.35 mm Br, 234 fisheke me mbishkrimin 7. 65 Br 13 S&B.

Ndërkaq, thuhet se në shtëpinë e të pandehurit Skender Arifi, janë gjetur dhe sekuestruar një revole TT e kalibrit 7.62 mm M57 me një karikator, 10 fishekë të kalibrit 7.62mm, 34 fishekë të kalibrit 9mm, dy shishe vaj për pastrim të armës dhe një kuti me mjete për pastrim të armës. Ndërsa, në shtëpinë e Skender Nuredinit thuhet se janë sekuestruar, një pushkë, një pistoletë e vjetër e prodhuar mekanikisht, një kuti për pastrimin e armëve dhe katër shufra të metalit për pastrimin e armëve dhe në shtëpinë të pandehurit Feratbegu Aliu janë seku7estruar një armë gjuetie eksort magnum 68442, armë gjuetie hatsan escort dhe një magazinë e armës me 2 fishekë 12 mm.

E pandehura Ifeta Ramic po akuzohet se ka falsifikuar para në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar deri me datën 29 shtator 2020 ka pranuar dhe posedua para të falsifikuar, ashtu që gjatë kontrollit të shtëpisë së saj janë gjetur dhe sekuestruar një kartëmonedhë prej 100-euro, e cila ka rezultuar të jetë totalisht e falsifikuar.

Ndërkaq, Salih Kutleshi akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar e deri me datën 14 prill 2021 ka mbajtur armë paautorizim ashtu që gjatë kontrollës në shtëpinë e tij i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie dy tetëshe me 7 fishekë të kalibrit 12mm.

Kategoritë
LajmeVendi