313 raste të pickimit të rriqrave në Malishevë, ende nuk ka nisur dezinsektimi

Mbi 300 raste të pickimeve nga rriqrat janë regjistruar në zonën e Malishevës gjatë këtyre ditëve, mirëpo asnjë qytetarë nuk është prekur me ethet hemorragjike.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale, Hajdin Berisha tha për Demokracia.com se prej 313 rasteve të cilat janë paraqitur në QKMF-në e Malishevës, ka edhe raste nga Komuna e Klinës, Rahovecit, Suharekës dhe Drenasit.

Berisha tha më tej se krahasuar me vitet e kaluara shifrat janë pothuajse të njëjta. Sipas tij, asnjë prej qytetarëve nuk ka shfaqur shqetësime serioze deri më tani.

“Deri më sot sipas shifrave zyrtare të cilat i pranojmë nga QKMF-ja janë 313 raste me pickimin e rriqrave. Prej këtyre 313 raste janë edhe disa raste që janë të evidentuar nga komunat e tjera, që zakonisht vijnë nga Komuna e Klinës, Rahovecit, Suharekës dhe Drenasit, që të marrin trajtim në Malishevë. Prej këtyre rasteve që kanë marrë trajtim në QKMF asnjë rast nuk ka kërkuar trajtim më serioz, përveç monitorimit të situatës. Do të thotë është bërë heqja e rriqrës është bërë hemogrami, analiza dhe pacientë janë liruar për shtëpi. Ende nuk kemi pas ndonjë rast të cilin e kemi udhëzuar për Klinikën Infektive. Përkundër këtyre numrave që janë gjendja paraqitet shumë e qetë”, tha Berisha.

Për dallim nga viti i kaluar kur procesi i dezinsektimit ka filluar më 24 maj, këtë vit nuk ka filluar ende ky proces.

Berisha thotë se nuk është nënshkruar ende kontrata me operatorin.

“Jo nuk ka filluar ende procesi i dezinsektimit janë duke u zhvilluar proceduat. Në momenti kur të kemi operatorin që e nënshkruan kontratën, sepse proceduarat kanë filluar në muajin shkurt, 60 mijë euro janë të ndara nga fondi i komunës. Nga niveli qendror, këshilli ndërministror deri sot nuk kemi pa ndonjë veprim për proceduarat e dhënies së kontratës ”, tha ai për Demokracia.com.

Berisha tha më tej se nga viti 2014 nuk ka pas raste me ethet hemorragjike. Përveç një rasti në 2020 kur një person ka vdekur nga kjo sëmundje.

“Në momentin e parë si të përfundojnë proceduarat do të dalim në terren në zonat më endemike të cilat ne i konsiderojmë, bazuar në shifrat e pickimit dhe rrezikshmërisë së virusit (ethet hemorragjike), në vitet paraprake sepse në 8-9 vitet e fundit nuk janë shfaqur ethet hemorragjike. Nga viti 2014 nuk ka pas raste me ethe hemorragjike. Më tej situatë ka qenë shumë e qetë edhe vetëdijesimi i qytetarëve ka qenë në nivel shumë të lartë, po besojmë që do të kalojë lehtë edhe ky vit. Kërkojë nga qytetarët e Malishevës që të jenë të kujdesshëm kur të dalin në fusha dhe male të kontrollojnë vetën dhe nëse hasin në rriqër mos të tentojnë të largojnë rriqrën vetë mirëpo të lajmërohen në QKMF dhe nga aty marrin udhëzimet nga stafi se si të veprojnë”, tha ai.

Sezona kur shfaqen rastet e pickimit nga rriqrat – që shkakton sëmundjen e etheve hemorragjike – është nga muaji prill dhe maj dhe vazhdon më pas edhe në muajt qershor, korrik dhe gusht.

Komuna e Malishevës njihet si vatër endemike e rriqrave, ku nga paslufta si pasojë e etheve hemorragjike Krime Kongo kanë vdekur 18 qytetarë.

Kategoritë
LajmeVendi