“326 terroristë të neutralizuar deri më tani në operacionin e Turqisë ‘Kthetra-Shpata’ kundër PKK/YPG-së”

Forcat turke synojnë vetëm terroristët dhe strehët e tyre gjatë operacionit, përsëriti ministri turk i Mbrojtjes, duke thënë: “Parimi ynë më i rëndësishëm është të mos dëmtojmë civilët dhe mjedisin”

Türkiye deri më sot ka neutralizuar 326 terroristë të organizatës terroriste PKK/YPG-së si pjesë e operacionit të ri “Kthetra-Shpata”, njoftoi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur me gazetarët në kryeqytetin turk Ankara, Akar gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se një pikë vëzhgimi e SHBA-së në Sirinë veriore është goditur në operacionet ajrore ndërkufitare të Türkiyes kundër terroristëve të YPG/PKK-së në Irakun verior dhe Sirinë veriore.

Është e pamundur që Türkiye të dëmtojë forcat e koalicionit ose civilët gjatë operacioneve të saj kundër terrorizmit, tha Akar.

Forcat turke synojnë vetëm terroristët dhe strehët e tyre gjatë operacionit, përsëriti Akar, duke thënë: “Parimi ynë më i rëndësishëm është të mos dëmtojmë civilët dhe mjedisin”.

Të dielën herët, Türkiye nisi operacionin “Kthetra-Shpata”, një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit terrorist YPG/PKK, i cili ka strehë të paligjshme përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë, ku planifikojnë sulme në territorin turk.

Operacioni ajror i vendit pasoi sulmin terrorist të YPG/PKK-së më 13 nëntor në Istanbul, nga i cili humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 81 të tjerë.

Pas nisjes së operacionit ajror, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan sinjalizoi gjithashtu një operacion të mundshëm tokësor në Irakun verior dhe Sirinë veriore për të eliminuar kërcënimin terrorist, duke thënë: “Kjo (ofensiva) nuk kufizohet vetëm në një operacion ajror”.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja të pafajshme. YPG është dega terroriste e PKK-së në Siri.

Kategoritë
BotaLajme