50 gratë nga gjitha komunitetet nderohen me çmimin “Kurora e suksesit”

Është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës, organizuar nga zyra e zëvendëskryeministres për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, raporton Ekonomia Online.

Me moton “Kosova krenohet me ty!”  kjo zyre në bashkëpunim me organizatën “ Ngo Lady” ndau çmimet “Kurora e suksesit” për 50 gratë nga gjitha komunitetet në Kosovë, për kontributin e tyre në fushën e sportit, kulturës, artit dhe fusha të ndryshme.

Çmimi i’u nda ish-presidentes Atifete Jahjaga, xhudistes Majlinda Kelmendi, Edi Kusia, Fahrije Hoti, Deita Rexhepi, Mrika Nikqi, dhe disa grave të tjera.

Zëvendëskryeministra për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi tha se këto çmime janë duke ju ndarë grave të shquara të Kosovës për kontributin e dhënë në shumë fusha.

Sipas saj, gruaja e Kosovës është shtyllë dhe ngrohtësia e çdo shtëpie.

“Shumë më vjen mirë dhe ndjehem e gëzuar që sot jemi këtu së bashku. Tubime të tillë me gratë e shquara në të ardhme do të jenë tradicionale. Të drejtat e grave janë të garantuara në tërë globin. Ne disa vende ato janë të mbrojtura me ligj, e në disa vende ato nuk respektohen”.

“E vërtetë është se gratë në të gjitha kohërat ka qenë aktive por kjo është lënë pas dore. Pak gra janë futur ne libra historie, prandaj është detyra jonë që të ngrisim zërin. Gruaja jonë është shtylla dhe ngrohtësia për çdo shtëpi”, tha ajo.

Sanije Murati, nga organizata “Ngo Lady”, tha se ky tubim është vetëm fillimi i rrugës për falënderimin e grave që kanë dhënë kontribut në Kosovë, raporton EO.

“Kjo ngjare është vetëm fillim për falënderim për gratë e Kosovës. Sot përfaqësoj zërin e shoqërisë civile, zëri i cili nuk dëgjohet shumë, por zëri që njëkohësisht kontribuon shumë”.

“Ftoj Qeverinë tonë për bashkëpunim më të ngushtë më shoqërinë civile dhe me krejt organizata me te cilat më së bashku luftojmë për një të nesërme më të mirë. Po të mos e kishte zemrën e madhe ky shtet sot nuk do të isha këtu. Faleminderit Kosovë”, tha ajo.

Kategoritë
LajmeVendi