Drejtori i organizatës serbe në Kosovë, ACDC, Dushan Radakoviq, tha se serbët në Kosovë kanë një lidhje emocionale me Serbinë dhe e shohin atë si pjesë të pandashme për identitetin e tyre.
82 për qind të qytetarëve serb në veriun e Kosovës, mendojnë se burimi kryesor i problemeve të tyre është Qeveria e Kosovës dhe autoritetet kosovare, sipas një ankete të bërë së fundmi, raporton Anadolu.
Anketa “Imazhet në kokat dhe zemrat tona: Shqiptarët dhe serbët – njëri për tjetrin”, kishte për qëllim të hedhë dritë mbi raportet midis shqiptarëve dhe serbëve në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë, dhe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ekspertë të ndryshëm rajonalë, përfaqësues të komuniteteve dhe eaktivistë të shoqërisë civile u mblodhën në shpalosjen e të dhënave nga ky studim.
Drejtori i organizatës serbe në Kosovë, ACDC, Dushan Radakoviq, tha se serbët në Kosovë kanë një lidhje emocionale me Serbinë dhe e shohin atë si pjesë të pandashme për identitetin e tyre.
“Serbët nga veriu i Kosovës kryesisht i shohin autoritetet e Kosovës si burimin kryesor të problemeve, me pothuajse 82 përqind të të anketuarve që besojnë se masat e zgjeruara nga Prishtina janë shumë drastike pasi rrezikojnë komunitetin”, theksoi Radakoviq.
Radakoviq, duke folur tutje për raportet e shqiptarëve dhe serbëve, tha se mungesa e një raportimi të drejtë dhe të mirë në media, po ashtu është një faktor krijon ndasi midis dy komuniteteve.
Por, gazetari nga Lugina e Preshevës që mori pjesë në këtë tryezë, Agon Islami, thotë se të kundërtën e asaj që thonë serbët në veri të Kosovës, e thonë shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Ai thotë se qytetarët shqiptarë, mendojnë që burim i urrejtjes dhe i konflikteve është Qeveria e Serbisë dhe Rusia.
“Kemi diku afër 50 për qind të qytetarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që mendojnë që burim i urrejtjes dhe konflikteve është Qeveria e Serbisë dhe Rusia. Të kundërton e thonë qytetarët serbë për Kosovën dhe bashkësinë ndërkomëbtare”, theksoi Islami.
Islami thotë se Lugina e Preshevës po ballafaqohet me pasivizimin e adresave, që ka për qëllim ndryshimin e demografisë së këtij rajoni, por kjo nuk po ndalohet.
Gjithashtu, ai tha se janë 17 gjenerata nga Lugina e Preshevës që kanë diplomuar në Kosovë dhe nuk mund të punësohen në Serbi, për shkak të mosnjohjes së diplomave të lëshuara nga Kosova në shtetin serb.
Sipas gazetarit shqiptar në Serbi, për problemet e serbëve në veri ka dëgjuar gjithë bota, ndërsa për problemet e shqiptarëve në Serbi di pakkush.