Albin Kurtit duket se do t’i duhet të gjejë një partner koalicioni nga ana e opozitarëve, të cilët i quajti “hajvanë” pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por pa marrë mjaftueshëm vota që Lëvizja Vetëvendosje të qeverisë e vetme sërish. Opozita ka më shumë vota. Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të shkojë në koalicion me LVV-në dhe se do të presë t’i ndërmarrë “hapat e nevojshëm në kohën e duhur” për formimin e qeverisë së re me partitë opozitare. Këtë e pret edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. E diela e 9 shkurtit në Kosovë mori vëmendjen edhe të mediave më të mëdha të botës. The Guardian shkroi se “Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e nxitur nga nacionalizmi ‘ti je me ne ose kundër nesh’ i Kurtit”
.Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ashtu siç pritej, por nuk arriti të merrte aq vota sa priti kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi me ngulm edhe një mandat të padiskutueshëm në krye të shtetit.
LVV-ja ka marrë 340,541 vota apo 40.89%, kur janë procesuar 99.53% të vendvotimeve nga qendrat e numërimit, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përditësuara sot.
Partia Demokratike e Kosovës ka deri tani 183,661 vota, apo 22.05%.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka aktualisht 146,815 vota, apo 17.63%.
Koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 ka 62,111 vota, apo 7.46%.
Sipas rezultateve pothaujse përfundimtare, Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se ndarja e mandateve për partitë shqiptare do të jetë kështu: LVV – 47 deputetë, PDK – 25 deputetë, LDK – 20 deputetë, AAK – 8 deputetë.
Pas një heshtjeje disa orëshe atë natë, Kurti u shfaq pak para mesnatës te selia e partisë së tij. “Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, Qeverinë Kurti 3”, tha ai para gazetarëve.
Bashkë me disa zyrtarë të partisë, pas mesnatës doli para disa mbështetësve që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet. Tha se e mposhtën Serbinë, dhe me një gjuhë brutale nuk e ndrydhi mllefin as pas përfundimit të fushatës elektorale kur u vendosi epitete si “materialistë” e “zuzarë” të gjithë atyre që nuk do të votonin që partia e tij të qëndronte më gjatë në pushtet.
Shkoi deri te ofendimi i kundërkandidatëve, të cilët i quajti “hajvanë
Profesori Blerim Latifi tha se “dikush që fiton nuk flet ashtu”, ndërsa analizonte në Pressing në T7 deklaratat e Kurtit.
“Ai që triumfon e ka gjuhën ndryshe. Pse mllefi i Kurtit në fitoren e tij? Sepse ai nuk e ka arritë qëllimin për të cilin ai ka hyrë në këtë kampanjë zgjedhore. Qëllimi i tij ka qenë me e fitu një shumicë të mjaftueshme të votave e cila do t’i mjaftonte që ai vetëm me e kriju qeverinë. Dhe mllefi i tij i sontëm është që ai nuk ia ka arritë këtij qëllimi dhe është një mllef të cilin ai s’mundet me e përmbajtë në kuptimin e asaj që meqenëse nuk e ka arritë atë qëllim, ai duhet me fillu me mendu për një formulë të koalicionit me dikë nëse do me qeverisë, nëse do me qenë në pushtet”, tha ai.