Dhjetëra palestinezë, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit mbi një ndërtesë të mbushur me banorë në qytetin Beit Lahiya në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdoi sulmet e tij intensive disa javore në veri të Rripit Bregdetar.
Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza njoftoi se 93 persona u vranë dhe 40 të tjerë janë ende të zhdukur, ndërsa shumë nga viktimat ishin anëtarë të familjes së zgjeruar Abu Nasr dhe palestinezë të zhvendosur nga zona të tjera.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Matthew Miller, e quajti sulmin “një incident të tmerrshëm me pasoja tronditëse”.
Mohamed El-Azamy është zhvendosur më shumë se 15 herë gjatë vitit të kaluar dhe ndodhej në një ndërtesë pranë asaj që u godit.
“Mbrëmë ishte një nga netët më të këqija që kam kaluar gjatë këtij lufte. Bombardohej nga të gjitha anët. Ne ishim zgjuar duke pritur atë granatë ose raketë që do të na shkatërronte jetën deri në orën 5 të mëngjesit, kur ndërtesa e fqinjëve tanë u bombardua,” tha ai për Guardian dhe shtoi:“Skena ishte e tmerrshme. Shumica e viktimave që pashë ishin fëmijë. Trupat ishin të gjymtuar. Ajo që më dhembi më shumë ishte pamja e trupave të fëmijëve të mbledhur dhe të vendosur buzë rrugës, me rroba të shqyera dhe të mbuluara nga pluhuri i rrënojave.”
Sulmi i fundit që përfshiu vdekjen e një numri të madh civilësh ndodhi në një moment kur Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) bëri thirrje për veprim të menjëhershëm për të parandaluar urinë, duke paralajmëruar se situata në veri të Gazës “vazhdon të përkeqësohet dhe mundësia që një grup më i madh banorësh të përballet me urinë është e sigurtë në rritje.”