Profesori universitar dhe opinionisti Milazim Krasniqi në një shkrim të publikuar në revistën mujore “Shenja” ka komentuar për strategjinë e presidentit turk Erdogan që po e përdor në konfliktin ruso-ukrainase
Sipas Krasniqit presidenti Erdogan, me politikën e tij origjinale dhe dinamike në luftën ruso-ukrainase, po përpiqet të mos bjerë në kurthin në të cilin kanë pasë rënë disa nga sulltanët osmanë, duke u bërë aleat vetëm me njërën nga palët e konfrontuara e duke e pësuar më vonë nga komplotet e tyre të përbashkëta antiosmane. Disa nga sulltanët osmanë të shekujve XIX e XX, vërtet ishin viktima të aleancave të gabueshme dhe më vonë të komploteve të përbashkëta të Fuqive të Mëdha, të cilat përkundër rivaliteteve e konflikteve të ndërsjella, synim konstant e kishin shkatërrimin e Devletit Osman dhe copëtimin kolonial të territoreve osmane.
Duke u bazuar në të kaluarën Krasniqi tregoi kur Rusia pushtoi jo vetëm Krimenë osmane po edhe hapësirat e pamata të Kaukazit, duke dëbuar me gjenocid disa milionë muslimanë nga ato territore. Me ndihmën e disa fuqive evropiane, herë Austro-Hungarisë, herë Britanisë e Francës, Rusia formoi shtete satelite ortodokse e sllave në Ballkan, (Greqinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë), të cilat i përdori si pyka për shkatërimin e Devletit Osman. Pushtimet ruse dhe të shteteve satelite rusofile, ishin gjenocidale. Xhastin Mc Carthy ka sjellë dëshmi se në periudhën 1821-1922 brenda territorit të Devletit Osman, janë vrarë pesë milionë muslimanë. Numri i të dëbuarve nga territoret osmane të pushtuara nga rusët dhe satelitët e saj, ka qenë disa herë më i madh.
ga ana tjetër, Britania e Madhe dhe Franca, me marrëveshjen kriminale Sajk-Piko, copëtuan hapësirat arabe, që ishin nën sundimin osman dhe i ndan ndërmjet vete si plaçkë tregu. E tradhtuan Sherif Hysejnin, të cilin e futen në luftë kundër Devletit Osman me premtim se do t’i jepnin hilefatin dhe një shtet të madh arab, por e tradhtuan.
Në fakt, ambiciet britaniko-franceze, në sfondin e Lufës së parë Botërore ishin që ta shkatërronin tërësisht Devletin Osman, e jo vetëm të plaçkitnin territoret. Për atë plan e ftuan edhe carin rus, Nikollajin II, të cilit në kuadër të Marrëveshjes së Konstandinopojës (1915) i ofruan që Rusia ta pushtonte Stambollin dhe të merrte në zotërimin rus ngushticat. Marrëveshja morbide u arrit, por në ndërkohë Revolucioni Bolshevik ia prishi planet ogurzeza carit rus, i cili e pagoi me kokë megallomaninë e tij pansllaviste. Ndërsa, Lenini hoqi dorë nga marrëveshjet komplotiste që kishte firmosur Rusia cariste. Tentativa e fundit komplotiste antiturke ishte e kryeministrit britanik, Llojd Xhorxhit, i cili edhe gjatë Konferencës së Paqes, e nxiti Greqinë të pushtonte territoteve turke, gjë që përfundoi me një katastrofë greke.
Megjithëse Turqia mbijetoi si shtet kombëtar turk, komplotet ndaj saj nuk janë ndalën as pas Luftës së Dytë Botërore. Herë nga njëri e herë nga blloku tjetër. I fundit ishte në vitin 2016, në të cilin sa u mor vesh, ka pasur të përziera edhe shërbime të disa shteteve perëndimore.
Presidenti Erdogan si duket i njeh mirë të gjitha historitë tragjike të Devletit Osman dhe të shtetit modern turk. Prandaj, nuk luan me një letër të vetme. Ai është me NATO-n, por nuk i vendos sanksione Rusisë. Ai ka ndaluar luftanijet ruse, por është njëri nga ndërmjetësuesit më kredibil. Ai I ka dhënë dronat “Bajraktar” Ukrainës, por vazhdon furnizimin ne gazin rus.
Ana humane e politikës së Erdoganit është se po përpiqet fort për paqe, ndonëse po të kishte një qasje egoiste, Turqisë lufta mund t’i konvenonte më shumë se sa paqja. Pse? Sepse dobësimi i Rusisë mund të ishte në favor të interesave strategjike turke, meqë Rusia ka qenë dhe mbetet kërcënim potencial për Turqinë. Por, Turqia si duket nuk është e interesuar as për një fitore të qartë të Perëndimit kundër Rusisë, sepse duke evokuar përvojat e hidhura të së kaluarës, mund të mendohet se në atë rast mund t’i vijë radha për destabilizim edhe Turqisë. A është ky një projeksion logjik, a një paranojë nga përvojat e hidhura, kjo sot nuk është krejt e qartë. Por e vërteta është se Gjermania e sidomos Franca, po në raste edhe SHBA, kanë bërë presione joparimore e destabilizuese kundër Turqisë edhe gjatë këtyre viteve të fundit. Mbajtja e Turqisë jashtë Bashkimit Evropian është projektuar si strategji përjashtuese dhe ngulfatëse ndaj Turqisë, ndonëse pa rezultatet e synuara, sepse Turqia edhe duke qenë jahstë BE-së është shndërruar në një gjigand ekonomik dhe në një faktor të rëndësishëm gjeopolitik.
E fundit në këtëmeditim: a e ndihmon Kosovën politika e tashme turke në Ukrainë e rreth saj? Kjo pyetje e ka vlerën e një milionë dollarëve, si thuhet. Përgjigja ime modeste është kjo: nëse Rusia dhe Perëndimi dalin të dërrmuar nga kjo luftë, pozita e forcuar e Turqisë mund ta ndihmojë Kosovën, që të mbijetojë si shtet, sepse presioni rus do të mund të dobësohet. Ndërsa nëse i lejohet Rusisë të pushtojë e të aneksojë territore të Ukrainës, atëherë e pritshme është që edhe Serbisë do t’i lejohet anshlusi i Republika Serpska dhe aneksimi i veriut të Kosovës, pa pasur mundësi as Turqia që ta pengojë atë skenar. Pra, në Ukrainë Rusia po lufton edhe për Serbinë e Madhe, e cila do të ndikonte si një metastazë malinje në trupin e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Ndërsa, nëse Rusia humb në Ukrainë, NATO ( me Turqinë brenda saj) do ta mbulonte tërë Ballkanin me ombrellën atlantike, gjë që do të eliminonte rrezikun e një lufte të re serbe-shqiptare në Kosovë. Pra, fuqizimi i Turqisë, duke qenë faktor paqeje në luftën ruso-ukrainase, faktor stabilizues brenda NATO-s e ndoshta edhe faktor reformues brenda Bashkimit Evropian në të ardhmen, kur të vlerësohet drejt roli i saj faktik nga Brukseli, është interes strategjik edhe i Kosovës.