A dështoi skenari serb për krizën humanitare në veriun e Mitrovicës?

Javën e kaluar serbët e veriut, siç u tha, sipas instruksioneve nga Beogradi, dhanë alarmin për një krizë humanitare, për shkak të mungesës së produkteve serbe atje. E tëra u cilësua si një skenar për të cilin institucionet zotoheshin se kanë një përgjigje – shkruan Gazeta e Re.

 Që në fillim dukej që skenari nuk po ecte mjaft mirë. «Është e vërtetë…» – thoshin disa nga banorët, «ka mungesë të produkteve nga Serbia, ndërsa bizneset nuk duan të furnizohen nga pjesa tjetër e qytetit».

 «Katastrofa humanitare», nuk mund të ndodhë në këtë pjesë të Kosovës, këmbëngulin zyrtarët e institucioneve, përderisa pjesa tjetër e qytetit është mjaft mirë e furnizuar. Por serbët duan që t’i bojkotojnë produktet e tjera, e sidomos ato nga Kosova, sikurse shqiptarët i bojkotuan produktet serbe tash e sa muaj.

Dyqanet në pjesën veriore u mbyllën të hënën dhe atë me urdhrin e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq. Në deklarimet për media në Beograd ai përpiqej të argumentonte se pjesës veriore të Mitrovicës, e populluar kryesisht nga pakica serbe, i mungojnë edhe gjërat më elementare.

Për t’iu kundërpërgjigjur këtij plani qëllimkeq, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, ditën e djeshme dërgoi tri pika shitëse mobile me mallra ushqimore në veri të vendit, për t’i furnizuar qytetarët atje me produktet esenciale. Nëpërmjet këtyre tri pikave është bërë përpjekje që të mbulohet jo vetëm veriu i Mitrovicës, por edhe Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

Sipas raportimeve të mediave, Shoqata e Biznesmenëve Serbë, ka mohuar të ketë bashkëpunuar me këto pika mobile, duke shtuar madje që edhe qytetarët serbë kanë refuzuar të furnizohen nga këto pika. Shoqata në fjalë, sot ka dhënë urdhër që dyqanet serbe në veri të hapen duke ua bërë me dije autoriteteve kosovare që mbyllja e tyre për pak ditë, ka qenë vetëm paralajmërim për atë çka mund të ndodh.

«Ne jemi të vetëdijshëm se na pret një luftë e gjatë, e cila kërkon unitet, përpjekje, ndoshta sakrifica. Nëse Kosova vazhdon me të njëjtën politikë, gjërat mund të shkojnë në rrugë pa kthim» – citohen të kenë kërcënuar ata.

Endrit Shala, Ministër i MTI-së në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e ka konfirmuar edhe vet hapjen e dyqaneve:

«Pas një veprimi dy ditor të Qeverisë së Kosovës-Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që t’iu qëndrojmë pranë qytetarëve tanë nga veriu, në përmbushje të obligimeve tona ligjore dhe kushtetuese, iu informoj se sot të gjitha lokalet në pjesën veriore të vendit janë të hapura, pas detyrimeve nga jashtë për mbylljen e tyre. Qytetarët e asaj pjese mund të furnizohen me produktet e tyre ushqimore të përditshme. Dua t’i falënderoj kompanitë pjesëmarrëse në aksionin e këtyre dy ditëve “Viva Fresh”, “ETC”, “Meridian”, “InterEx”, “QTA”. Ne do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë qytetarëve të Kosovës, pa dallim kudo që jetojnë në Republikën e Kosovës.»

Disa nga qytetarët serbë duke u prononcuar për televizionin publik RTK, thanë që edhe pse Qeveria e Kosovës i ka sjellë pikat mobile në veri, ata kanë pasur frikë të furnizohen. Ani që ky skenar, sipas analistëve, duket i dështuar, ai mund të përsëritet prapë. Qasja destruktive e Beogradit ndaj Prishtinës zyrtare, fundja, nuk është një risi për shqiptarët e Kosovës. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi