Nuk është hera e parë që e kemi konsideruar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ose të vdekur, ose në prag të vdekjes.
Së fundmi, senatori republikan Mike Lee, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter – se “është koha të largohemi nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian”.
Elon Musk, burri më i pasur në botë, dhe aleati i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trump, e ka pëlqyer këtë ide. Ai ka thënë shkurt, “pajtohem”.
Ndonëse zyrtarët në Bruksel dhe vende tjera besojnë se ky reagim i Muskut nuk është i pazakonshëm, pasi ai ndan shpesh mendimet e tij për politikë në platformën X, megjithatë, disa vëzhgues e pranojnë se ai ka qasje te Trumpi dhe te disa qarqe konservatore në Uashington.
Prapëseprapë, zyrtarët e NATO-s, në selinë e tyre në Bruksel, janë skajshmërisht të qetë.
Përgjigja e tyre në pyetjen nëse shpërbërja e aleancës është e pashmangshme, është “jo”, dhe atë për dy arsye: për shkak të hendekut të madh mes retorikës dhe veprimit, dhe për shkak të dallimeve mes aleatëve të NATO-s dhe vendeve që aspirojnë NATO-n, sidomos kur është fjala për Ukrainën.
‘Injorojeni zhurmën’
Të ndalemi tek arsyeja e parë. Jo më larg se javën e kaluar, Trump është deklaruar i përkushtuar për zbatim të Artikullit 5 të NATO-s, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Ky qëndrim është përsëritur disa herë – si publikisht, ashtu edhe privatisht – nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, të mbajtur në muajin shkurt në Bruksel.
Ndonëse ai ka insistuar që aleatët evropianë t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje, të gjitha burimet e Radios Evropa e Lirë brenda NATO-s, i kanë përshkruar diskutimet si konstruktive.
“Ai nuk është larguar asnjëherë nga diskutimi, ka dëgjuar, ka bërë pyetje, ka mbajtur shënime – nuk e ka pasur sjelljen e një aleati që e ka në kokë braktisjen”, ka thënë një ambasador i NATO-s, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Në të njëjtën linjë, diplomatët e NATO-s janë duke i trajtuar spekulimet konstante.
“Na duhet të deshifrojmë se çfarë nënkupton e gjithë kjo”, ka thënë një zyrtar i lartë.
“Mirëpo, ne edhe kemi mësuar që duhet të injorojmë zhurmën dhe të fokusohemi te veprimet. Na duhet të praktikojmë një lloj ‘durimi strategjik’”.
Rruga e paqartë e Ukrainës
Por, situata është ndryshe kur bëhet fjalë për Ukrainën.
“Rrugëtimi i Ukrainës ka ndryshuar, mirëpo jo edhe i NATO-s. Ata kanë qenë të ashpër ndaj Ukrainës, mirëpo vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndaj NATO-s”, ka thënë një ambasador i aleancës në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshimi i retorikës ndaj Volodymyr Zelenskyt është një tjetër shembull i qartë, por i tillë është edhe roli i ri i Britanisë për koordinim në dërgimin e armëve në Ukrainë.
Është e qartë që Ukraina nuk do të anëtarësohet së shpejti në NATO – dhe për të qenë real, ka qenë administrata e ish-presidentit, Joe Biden që e ka bllokuar anëtarësimin e Kievit në samitet e NATO-s, të mbajtura së fundmi, ndërkohë që shtetet e Evropës Perëndimore e kanë ruajtur qetësinë.
Administrata e re amerikane është më e drejtpërdrejtë në këtë drejtim.
Pyetja e krahut lindor të NATO-s është nëse trupat ushtarake amerikane do të vazhdojnë të jenë të stacionuara atje. Momentalisht, përgjigja është ‘po’, ndonëse ekzistojnë shqetësime se administrata Trump mund të rishikojë numrin e trupave që ka angazhuar në Evropë.
E, nëse këto shtete sulmohen nga Rusia, a do t’iu ndihmojnë atyre forcat amerikane?
Të gjithë besojnë se ashtu do të jetë, se do të ofronin ndihmë, ndonëse për Artikullin 5 nuk është e rëndësishme vetëm bindja e aleatëve, por edhe e armiqve – sa besojnë ata që mund të zbatohet kjo pikë.
Një zyrtar i Evropës Lindore e ka bërë përshkrimin më të mirë për këtë situatë.
Ai ka thënë se situata është sikurse macja e Schroedingerit – ekziston në të dyja shtetet, e gjallë dhe e vdekur, derisa të hapet kutia.
“Në rastin e NATO-s, askush nuk mund të flasë me bindje për Artikullin 5, deri në ditën kur testohet”.