A do të ketë fat Kosova? Grupi Punues i Vizave, mblidhet në Bruksel më 22 qershor

Grupi Punues i Vizave që shërben si organ përgatitor në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian do të mblidhet më 22 qershor, një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe takimit të udhëheqësve të 27 vendeve të unionit. Takimi i këtij grupi punues është shenjë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mund të futet agjendën e Këshillit të BE-së të nesërmen (23 qershor) 

Arbër Jashari

Sipas agjendës së Këshillit të BE-së, takimi i Grupit Punues të Vizave do të mbahet në Bruksel më 22 qershor duke filluar nga ora 10:00.

Grupi Punues i Vizave trajton politikën e përbashkët të vizave në lidhje me qytetarët nga vendet joanëtare të BE-së që i nënshtrohen kërkesës për vizë.

Këshilli i Bashkimit Evropian është organ kolegjial që përbëhet nga krerët e shteteve apo të qeverive të 27 vendeve të BE-së të cilët do të mblidhen në Bruksel për një takim dy ditor më 23 dhe 24 qershor.

Presidencën e Këshillit të BE-së e udhëheqë Franca deri më 30 qershor 2022 dhe nga 1 korriku atë e dorëzon te Çekia.

Në këto dy ditë do të organizohet edhe një samit i përbashkët BE-Ballkan Perëndimor.

Datën 23 qershor e ka përmendur dje edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel. Ajo tha se nëse do të ndodhë liberalizimi ose jo është në vullnetin e shteteve anëtare, derisa njoftoi se institucionet e Kosovës janë në kontakte me të gjitha shtetet e Unionit veç e veç, me disa prej të cilave ende s’kanë marrë përgjigje përfundimtare.

Këshilli i BE-së është institucion që vendosë edhe për dhënien e dritës së gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën nëse të gjitha shtetet anëtare janë pro.

Por, edhe pse Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian janë shprehur disa herë në favor të liberalizimit të vizave, kjo çështje s’është vendosur në agjendën e Këshillit të BE-së asnjëherë.

Franca është njëra nga shtetet skeptike se a duhet t’i hiqen vizat kosovarëve, pasi sipas saj duhet të ketë më shumë përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

E në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është shprehur bukur qartë Kancelari i Gjermanisë,Olaf Scholz.

Ai në dy takimet e fundit që ka pasur në Berlin e Prishtinë me kryeministrin Kurti është shprehur se është pro liberalizimit të vizave dhe për këtë çështje është angazhuar personalisht edhe në bisedat me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së.

Poashtu, Parlamenti Evropian, të martën përmes një draft raporti ka kërkuar sërish nga Këshilli i BE-së të liberalizojë vizat për Kosovën.

Brengën disavjeçare të kosovarëve që s’mund të udhëtojnë lirshëm nëpër zonën Schengen po e mirëkupton austriakja Kati Schneeberger që drejton organizatën joqeveritare “Vjena bëhet Evropë”.

Ajo ka nisur njëpeticion onlineqë është nënshkruar nga më shumë se 15 mijë njerëz e ku i bëhet thirrje BE-së që t’i liberalizojë vizat për kosovarët.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në

Kategoritë
LajmeVendi