Përfaqësuesi i Karolinës së Jugut, Joe Wilson, po përgatit një projektligj që kërkon që Donald Trump të shfaqet në një kartëmonedhë të re prej 250 dollarësh, në nder të arritjeve të tij financiare si president.
Ligjvënësi republikan paraqiti një model të kartëmonedhës me portretin e Trumpit, duke pretenduar se “Bidenflacioni” – një term që ai përdor për inflacionin që arriti kulmin në 9.1% në vitin 2022 – ka detyruar amerikanët të mbajnë më shumë para të gatshme.
“Jam mirënjohës që mund të shpall se po përgatis një projektligj që i kërkon Zyrës për Gdhendje dhe Shtypje të dizajnojë një kartëmonedhë prej 250 dollarësh me imazhin e Donald J. Trumpit. Bidenflacioni e ka shkatërruar ekonominë, duke i detyruar familjet amerikane të mbajnë më shumë para të gatshme. Kartëmonedha më e vlefshme për presidentin më të vlefshëm!”, shkroi Wilson në X (ish-Twitter).
Departamenti i Thesarit, i cili është përgjegjës për zgjedhjen e figurave historike që shfaqen në kartëmonedha, ka deklaruar se merr parasysh persona që kanë një vend të njohur në historinë amerikane.
Megjithatë, ligji federal ndalon që portreti i një personi të gjallë të shfaqet në valutën amerikane.
Kartëmonedhat amerikane ekzistojnë në shtatë prerje: 1, 2, 5, 10, 20, 50 dhe 100 dollarë, ndërsa Rezerva Federale aktualisht i emeton këto prerje. Zyrën për Gdhendje dhe Shtypje e prodhon ato.
Ish-presidentët George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln, Andrew Jackson dhe Ulysses Grant, si dhe etërit themelues Alexander Hamilton dhe Benjamin Franklin, janë të përfaqësuar në kartëmonedhat ekzistuese.
Aktualisht, nuk ka në qarkullim një kartëmonedhë prej 250 dollarësh, dhe prerjet mbi 100 dollarë – përfshirë ato prej 500, 1.000, 5.000 dhe 10.000 dollarësh – u shtypën për herë të fundit në vitin 1945, por u tërhoqën nga përdorimi në vitin 1969 për shkak të mungesës së kërkesës, sipas të dhënave nga Zyra për Gdhendje dhe Shtypje.
Republikanët në Kongres kanë propozuar tashmë disa ide të tjera për të nderuar Trumpin që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Përfaqësuesja e Nju Jorkut, Claudia Tenney, ka paraqitur një projektligj për ta shpallur ditëlindjen e Trumpit si një festë zyrtare federale.
Ajo ka propozuar bashkimin e Ditës së Flamurit me ditëlindjen e presidentit, pasi të dyja përkojnë më 14 qershor.
Muajin e kaluar, përfaqësuesja e Floridës, Anna Paulina Luna, e cila është caktuar të udhëheqë një grup të ri kongresional për të zbuluar një sërë sekretesh kombëtare, paraqiti një projektligj të ri për të vendosur fytyrën e Trumpit në Mount Rushmore.
“Arritjet e tij të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe suksesi që do të vazhdojë të sjellë meritojnë njohjen më të lartë dhe nderimin në këtë monument kombëtar ikonë”, shkroi ajo në platformën X. “Le të fillojmë gdhendjen!”
Më herët këtë muaj, përfaqësuesi i Xhorxhias, Buddy Carter, njoftoi një projektligj që synon të ndryshojë zyrtarisht emrin e Grenlandës në “Toka Kuqe-Bardhë-Kaltër”, ndërsa Trump kishte rritur thirrjet për blerjen e territorit danez, pavarësisht se ai nuk ishte në shitje.
Vetëm tre ditë pas fillimit të mandatit të dytë të Trumpit, përfaqësuesi i Tenesit, Andy Ogles, propozoi një rishikim të Amendamentit të 22-të të Kushtetutës për të lejuar që një president të kandidojë për një mandat të tretë.