Bayram POMAK
Edhe pse lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt 2022, kjo çështje ka filluar shumë më herët. Pozita gjeopolitike e Ukrainës dhe burimet e saj nëntokësore e kanë vënë Perëndimin dhe Rusinë përballë njëra-tjetrës. Ne jemi mësuar ta quajmë këtë luftë si lufta Ukrainë-Rusi dhe kështu e perceptuam. Megjithatë, zhvillimet në terren treguan qartë se kjo është një luftë mes NATO-s dhe Rusisë. Fuqitë e mëdha kurrë nuk i zhvillojnë luftërat e tyre në vendet e tyre. Ato i vazhdojnë këto përballje në zona të caktuara, por nuk i sjellin ato në territorin e tyre. Këto zona janë Ballkani, Kaukazi, Azia Qendrore, Afrika etj. Ukraina është një nga këto zonat.
Përplasja mes NATO-s dhe Ukrainës filloi në vitin 2014 me ngjarjet e “Majdanit”. Si rezultat i këtyre ngjarjeve, presidenti pro-rus ViktorJanukoviç u rrëzua nga pushteti dhe në vend të tij erdhi YuliaTimoshenko, e cila ishte pro-evropiane. Kjo ishte një goditje për Rusinë, pasi Ukraina, ku ajo kishte ndikim të madh, po i largohej dalëngadalë. Një muaj pas rrëzimit të Janukoviçit, në mars 2014, Rusia aneksoi Krimenë dhe në rajonet Luhansk dhe Donetsk mbështetësit pro-rus shpallën republikën. Pas operacioneve të Ukrainës të cilat i cilësoi si antiterroriste, përplasjet u intensifikuan. Edhe pse u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit në Minsk, përleshjet vazhduan herë pas here.
Në fillim të vitit 2022, Rusia grumbulloi 150 mijë trupa në kufirin me Ukrainën dhe shpalli njohjen e pavarësisë së rajoneve Donetsk dhe Luhansk. Më 24 shkurt 2022, Putin shpalli “Operacionin Special Ushtarak” kundër Ukrainës dhe kështu filloi lufta.
Me fillimin e kësaj lufte, SHBA dhe BE shpallën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe vendosën sanksione kundër Rusisë, pasi kjo luftë në fakt zhvillohej në tokën ukrainase kundër Perëndimit. Putin, në deklaratat e tij, tha: “Në vitet ’90 na premtuan se nuk do të ndërmerrnin asnjë hap drejt lindjes. Na mashtruan. Tani po na rrethojnë”, duke justifikuar kështu legjitimitetin e luftës. NATO, në kuadër të politikës së dyerve të hapura, deklaroi se shtetet që dëshirojnë të bashkohen me këtë aleancë marrin vendime brenda sovranitetit të tyre. NATO gjithashtu theksoi se gjatë Luftës së Ftohtë kishte funksionuar si një aleancë mbrojtëse, ndërsa pas saj u shndërrua në një organizatë sigurie.
SHBA filloi të zbatojë një sërë sanksionesh kundër Rusisë. Kufizoi eksportin e naftës dhe gazit, ngrinë asetet e oligarkëve rusë, vendosi sanksione ndaj sistemit financiar rus dhe kufizoi eksportet në sektorin e teknologjisë dhe industrisë së mbrojtjes. Ndërkohë, SHBA dhe vendet e BE-së siguruan miliarda dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, përfshirë raketat kundër tankeve Javelin, sistemet raketore HIMARS, sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot etj. Përveç kësaj, ato ofruan mbështetje me trajnime ushtarake, ndarje informacioni inteligjent dhe pajisje të tjera si dronë dhe tanke ABRAMS. SHBA jo vetëm që siguroi mbështetje ushtarake brenda Ukrainës, por gjithashtu krijoi baza ushtarake edhe në Poloni dhe vendet baltike.
Edhe pse nga SHBA dhe BE erdhën deklarata mbështetëse për Ukrainën, Evropa nuk ishte plotësisht palë në këtë luftë. Që në fillim, Evropa nuk ishte shumë e gatshme të përfshihej në këtë konflikt. Megjithatë, presioni i SHBA-së e zhyti Evropën të bëhej palë në këtë luftë. Kjo për shkak se një përballje me Rusinë do të sillte vështirësi ekonomike për Evropën, e cila varet nga gazi rus. Rusia zotëron 24% të gazit botëror, ndërsa Evropa është e varur nga ky burim. Përveç kësaj, mes Rusisë dhe vendeve evropiane ekzistojnë marrëdhënie dhe interesa të ndërlikuara në fushën e energjisë. Shumë burokratë evropianë janë anëtarë të bordeve drejtuese të kompanive ruse të gazit. Ndër ta janë ish-kancelari gjerman GerhardSchröder, ish-kryeministri francez François Fillon, ish-kancelarët dhe ministrat e jashtëm të Austrisë etj. Kjo tregon se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Evropës janë më të ndërlikuara nga sa duken. Megjithatë, presioni i SHBA-së për ta përfshirë Evropën në luftën e Ukrainës e ka rikthyer kontinentin në një linjë anti-ruse.
Para se të vinte në pushtet, Trumpi premtoi se do të ndërmerrte hapa për të ndaluar këtë luftë. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, ai filloi të veprojë në lidhje me çështjen e Ukrainës. Pas telefonatës së parë me Putinin dhe më pas me Zelenskin, ky i fundit deklaroi se ishte i zhgënjyer që presidenti amerikan kishte telefonuar fillimisht Putinin.
Dallimet mes Evropës dhe SHBA-së për çështjen e Ukrainës u bënë shumë të qarta në Samitin e Sigurisë në Mynih. Kritikimi i Evropës nga nënkryetari i SHBA-së, Vance, dhe deklarata e tij se Rusia nuk përbën një kërcënim për Evropën shkaktuan një tronditje të madhe. Pas kësaj deklarate, biseda e Trumpit me Putinin dhe fakti që në tryezën e negociatave nuk ishin as Evropa dhe as Ukraina, shkaktuan panik në Evropë. Si pasojë, presidenti francez Macron reagoi menjëherë dhe ftoi vendet e BE-së në Paris për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët për çështjen e Ukrainës. Bashkimi Evropian deklaroi se një marrëveshje paqeje, pa praninë e BE-së dhe Ukrainës në tryezë, nuk mund të jetë e qëndrueshme.
Ekipet negociatore të Trumpit dhe Putinit u takuan në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad. Në këto bisedime për Ukrainën nuk kishte asnjë përfaqësues ukrainas. Presidenti ukrainas Zelenski, në njëjtën kohë në Ankara, deklaroi se nga mediatkishte mësuar për këto bisedime. Kjo situatë krijoi një situatë absurde ku SHBA, në këtë proces, përjashtoi Evropën dhe mbi të gjitha vetë Ukrainën. Ajo që e bën situatën edhe më tragjike është fakti se nënkryetari amerikan deklaroi se Ukraina duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, arsyeja kryesore pse kjo luftë filloi. Ai gjithashtu theksoi se rikthimi në kufijtë para luftës nuk është i realizueshëm. Kjo do të thotë se Ukraina duhet të heqë dorë nga të gjitha pretendimet për të cilat nisi luftën dhe të dorëzojë 20% të territorit të saj Rusisë.
Ky veprim i SHBA-së ka shkaktuar zemërim dhe panik në Evropë. Të gjitha pretendimet që ekzistonin në fillim të luftës tani janë shembur. Kjo ngre pyetjen: për çfarë u bë kjo luftë për kaq vite? Për çfarë u sakrifikuan qindra mijëra jetë? Megjithatë, SHBA-ja thotë: “Do të respektohesh marrëveshja me Rusinë dhe do të dorëzosh 500 miliardë euro me elementë të rrallë.” Trump dëshiron të sigurojë këtë marrëveshje në këmbim të ndihmës ushtarake të dhënë Ukrainës dhe të marrë kontrollin e këtyre mineraleve.
Pse janë të rëndësishëm këta elementë të rrallë? Ukraina është e pasur me litium, titanium dhe elementë të tjerë të rrallë, të cilët kanë rëndësi kritike për industrinë e teknologjisë së lartë dhe atë të mbrojtjes. Duke marrë parasysh kontrollin që Kina dhe Rusia kanë mbi këto burime në mbarë botën, fakti se kush do t’i kontrollojë rezervat e Ukrainës bëhet një çështje me rëndësi të madhe për ekuilibrat globalë të fuqisë.
Po vendosen ekuilibra të reja në Evropë përmes Ukrainës. Edhe pse SHBA dhe Evropa duken sikur po veprojnë së bashku, dihet se në shumë çështje kanë pasur mendime të ndryshme. Megjithatë, për herë të parë janë përballur kaq hapur me njëri-tjetrin. Evropa thekson se është “tradhtuar” nga SHBA në çështjen e Ukrainës dhe se një paqe pa praninë e Evropës në tryezë nuk është e mundur. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, PéterSzijjártó, gjithashtu deklaroi se disa qarqe në Evropë do të bëjnë gjithçka për të sabotuar negociatat e paqes.
Çështja e paqes në Ukrainë do të shënojë një pikë kthese për shumë çështje gjeopolitike. Ndërsa ndarja mes SHBA-së dhe Evropës po thellohet, ideja për krijimin e një Ushtrie Evropiane po del gjithnjë e më shumë në plan të parë. Shkaku kryesor i kësaj ideje është mungesa e besimit të Evropës ndaj SHBA-së. SHBA tashmë e thotë qartë: “Nëse doni t’ju mbrojmë, duhet të paguani më shumë.”
Është e qartë se kjo luftë nuk është vetëm një përballje politike dhe ushtarake, por edhe një luftë ekonomike dhe strategjike. Burimet minerale të Ukrainës, të cilat kanë rëndësi kritike për sektorët e energjisë dhe teknologjisë, do të vazhdojnë të jenë një faktor përcaktues për ekuilibrat globalë në të ardhmen.
Duke parë të gjitha këto zhvillime, është e qartë se fituesit më të mëdhenj të luftës në Ukrainë do të jenë korporatat globale brenda SHBA-së. Nga njëra anë, të ardhurat nga shitja e armatimeve gjatë luftës rritën ndjeshëm fitimet e kompanive amerikane të armëve. Nga ana tjetër, SHBA do të marrë dhe shfrytëzojë pasuritë natyrore të Ukrainës pa pyetur as Ukrainën dhe as Evropën. Edhe pse pas luftës Rusia do të ketë nën kontroll 20% të territorit të Ukrainës, ajo do të dalë nga kjo luftë e lodhur dhe e dobësuar.
Mungesa e rolit të Evropës në këtë proces do të jetë një goditje e madhe për imazhin e saj. Do të bëhet e qartë se Evropa nuk është më një fuqi globale dhe për të siguruar mbrojtjen e saj, do të detyrohet t’i bindet çdo vendimi të SHBA-së.
Periudha që kemi përpara do të jetë një moment historik. Negociatat për Ukrainën dhe përfundimi i luftës nuk do të ndryshojnë vetëm ekuilibrat e brendshëm në Ukrainë, por edhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Evropës, si dhe ato mes Evropës dhe SHBA-së.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.