Vjeshta ka mbërritur, temperaturat po bien lehtë dhe gjethet po ndryshojnë ngjyrë. Ndërsa po përshtatemi me temperaturat më të ulëta, njerëzit kanë filluar t’i bëjnë njëri-tjetrit të njëjtën pyetje: “A e keni ndezur ngrohjen?”
Disa familje përpiqen të rezistojnë sa më shumë që munden, ndërsa të tjerët e ndezin ngrohjen sapo fillojnë temperaturat e ulëta. Por, kur bëhet fjalë për përdorimin e ngrohjes qendrore, a është e vërtetë që nëse e lini të ndezur gjatë gjithë ditës në një nivel të ulët, do të kurseni para? Si me shumicën e gjërave, përgjigjja nuk është e thjeshtë, siç shkruan LADBible.
Ekspertët sugjerojnë se lënia e ngrohjes ndezur gjatë gjithë ditës për të kursyer para është thjesht një mit. Nga njëra anë, nëse ngrohja qëndron ndezur gjatë gjithë ditës, kaldaja do të duhet të punojë për të mbajtur temperaturën në nivelin e caktuar dhe do të konsumoni energji gjatë gjithë ditës, në krahasim me rregullimin e ngrohjes që të ndizet në kohën e zgjedhur. Megjithatë, nëse shtëpia është më e ftohtë, do t’ju duhet më shumë energji për ta ngrohur atë kur të arrini dhe ta ndizni ngrohjen.
Prandaj, ata këshillojnë përdorimin e një timer-i. Kjo ju mundëson që ngrohja të ndizet dhe të fiket kur e dëshironi më shumë dhe nuk duhet të shqetësoheni nëse e keni harruar ta fikni.
Shumë ekspertë pajtohen se gjëja më e rëndësishme që duhet të merret parasysh kur bëhet fjalë për ngrohjen efikase të shtëpisë, është të zbuloni se ku po humbet nxehtësia nga shtëpia. Nëse shtëpia është mirë e izoluar, do të konsumoni më pak energji pavarësisht nëse e lini ngrohjen ndezur gjatë gjithë ditës apo përdorni një timer. Sa më të vogla të jenë humbjet e nxehtësisë, aq më pak energji do të përdorni për të arritur temperaturën e rehatshme në shtëpi.