A ju kujtohet Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor? Tani është i ngarkuar me punë në ambasadën në Brazil

Gabriel Escobar ka marrë zyrtarisht detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Brazilia.

Para se të vinte në Brazil, Escobar shërbeu si zëvendës-ndihmës sekretar i shtetit, përgjegjës për politikën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrën për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështjet Evropiane. Ai gjithashtu ka qenë zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd.

Në vend të Gabriel Escobarit

I dërguari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është Alexander Kasanof

Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Escobar ka mbajtur shumë pozita të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, përfshirë atë të ministrit-këshilltar për ekonomi në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad, koordinator për çështjet kubane në Byronë për Hemisferën Perëndimore, zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në La Paz, Bolivi, konsull i përgjithshëm në Peshavar, Pakistan, si dhe udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk, Irak.

Një pjesë e veçantë e karrierës së tij lidhet me ish-Jugosllavinë. Nga viti 1998 deri në 2001, ai ishte shef i kabinetit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Luka, drejtues i zyrës së Ambasadës së SHBA-së në Banja Luka, zëvendësshef i ekipit diplomatik amerikan në Podgoricë dhe shef i njësisë politike në Ambasadën e SHBA-së në Beograd pas rihapjes së saj në vitin 2001.

Escobar është fitues i shumë çmimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke përfshirë gjashtë çmime për shërbim të jashtëzakonshëm dhe çmimin për shërbim të jashtëzakonshëm në terren. Ai është diplomuar në Universitetin Columbia në Nju Jork dhe flet spanjisht, rusisht, italisht, serbisht, kroatisht, çekisht dhe portugalisht.

Kategoritë
BotaLajme