A po i përgatit Putini rusët për një luftë të zgjatur në Ukrainë: Lufta nuk do të përfundojë para vitit 2027?

Ish-komandanti rus dhe anëtari i Dumës ruse Andrei Gurulyov tha së fundmi se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjasë të paktën deri në vitin 2027 ose ndoshta edhe më gjatë, shkruan Newsweek.

Ai e tha këtë gjatë një programi televiziv të postuar në Twitter me titra në anglisht nga Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, të dielën.

“Përfundimi i luftës mund të zgjasë shumë. Në përgjithësi, unë parashikoj se do të jetë në 2027-2030, jo më herët,” tha Gurulyov.

Në fillim të këtij muaji, gjatë një paraqitje në televizionin shtetëror rus, Gurulyov hodhi poshtë sovranitetin e Ukrainës, duke thënë se vendi i shkatërruar nga lufta i përkiste Rusisë.

“Ne duhet ta mbyllim çështjen e Ukrainës përgjithmonë dhe të pranojmë se denazifikimi dhe çmilitarizimi do ta mbyllin Ukrainën si projekt njëherë e përgjithmonë”, tha ai.

“Ajo ka ekzistuar, por është zhdukur”, shtoi ai.

Ende mbetet e paqartë se kur mund të përfundojë lufta, e cila u nis nga presidenti rus Vladimir Putin shkurtin e kaluar, dhe në çfarë kushtesh. Megjithatë, disa ekspertë pohojnë se Kremlini po përgatit qytetarët për një konflikt që mund të zgjasë për shumë vite.

Sociologu Grigory Yudin i tha Agence France-Presse (AFP) të dielën se Moska po përgatit rusët për një “luftë të madhe ekzistenciale” dhe se sistemi arsimor i vendit po zhvillohet për të arritur këtë qëllim.

“Ne po flasim për një transformim rrënjësor dhe të plotë të arsimit për të mobilizuar të rinjtë rusë për luftë”, tha Yudin.

“Arsimi aktual ka dy funksione – propagandë dhe trajnim bazë ushtarak,” shtoi ai.

Ndërkohë, ushtria e Putinit aktualisht po përgatitet të nisë një ofensivë të re në pranverë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vuri në dukje kohët e fundit se udhëheqësi rus nuk ka plane për t’i dhënë fund luftës së shpejti.

“Ne nuk shohim asnjë shenjë se Presidenti Putin po përgatitet për paqe. Ajo që shohim është se Presidenti Putin dhe Rusia ende duan të kontrollojnë Ukrainën,” tha shefi i NATO-s.

Kategoritë
BotaLajme