A po përgatitet një revolucion i ri në futboll? Trajnerët do t’i tregojnë gjyqtarit kartonin e gjelbër, ja çfarë do të thotë kjo

Bordi i Rregullave të Futbollit në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (IFAB) u mblodh dje në Belfast dhe në mbledhjen e tij të 139-të miratoi disa ndryshime revolucionare në rregulloren e futbollit.

Ndryshimi më i rëndësishëm ka të bëjë me kufizimin e kohës që portierët mund ta mbajnë topin në duar.

Deri më tani, rregullorja e parashikonte një kufi prej gjashtë sekondash, por në praktikë ky rregull nuk zbatohej rreptësisht. Tani, kufiri është rritur në tetë sekonda, dhe gjyqtari do të numërojë publikisht kohën. Nëse një ekip e shkel këtë rregull, kundërshtari do të marrë një goditje nga këndi (korner).

Rregulli i ri i portierit konfirmohet nga sezoni i ardhshëm

Nëse nuk respektohet, ekipi do të ndëshkohet me goditje nga këndi.

IFAB gjithashtu mori një propozim nga FIFA, i cili synon të përmirësojë sistemin VAR duke shkurtuar kohën e shqyrtimit të rasteve të diskutueshme. Në takimin e ardhshëm, IFAB do të shqyrtojë një tjetër ndihmë teknologjike për të rritur drejtësinë në gjykim.

Bëhet fjalë për Mbështetjen Video të Futbollit (Football Video Support – FVS), një sistem që është më i lirë dhe më i aksesueshëm për federatat kombëtare të futbollit që ende nuk kanë mundur të implementojnë VAR-in.

FVS u testua në Kampionatet Botërore për femra U17 dhe U20, dhe funksionon në atë mënyrë që trajnerët që mendojnë se gjyqtari ka marrë një vendim të gabuar, mund t’i tregojnë gjyqtarit të katërt një karton të gjelbër dhe të kërkojnë rishikim të videos.

Çdo trajner mund të përdorë kartonin e gjelbër maksimumi dy herë për ndeshje.

Kategoritë
Sport