A ua dha Perëndimi dritën e gjelbër Sheikëve për investime në Kosovë dhe Serbi, pas marrëveshjes?

Në kohën kur pritej një marrëveshje e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, mediat serbe raportonin për investimet nga shtetet e pasura arabe që Serbia mund t’i gëzojë, nëse i bindet Perëndimit. Pas arritjes së marrëveshjes lëvizjet nga Gjiri Persik kanë nisur.

Prishtinën, Tiranën dhe Beogradin këto ditë i ka vizituar Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, që mban postin e ministrit pë Punë të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kryeministri Albin Kurti e priti atë, i shoqëruar nga një numër ministrash të fushave të ndryshme, ndërsa Zyra e tij njoftoi se Kurti i ka ftuar ekipin nga Emiratet që të hulumtojnë mundësitë për investime në Kosovë.

Duke i ftuar që të hulumtojnë mundësitë për investime që Kosova ofron, ai gjithashtu i njoftoi me projektet infrastrukturore në fushën e transportit, dhe për planet dhe mundësitë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, në të cilën fushë Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përvojë të shquar”, thuhej në komunikatën e 4 prillit të ZKM-së.

Po ashtu, thuhej se me kryediplomatin e EBA është folur edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të cilës Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë rëndësi kur ka shkruar për vizitat e Sheikut Abdullah në Ballkan.

Më 5 prill, Sheiku shkoi në Beograd dhe u taku me Presidentin serb, Aleksandër Vuciqin. Në njoftimin e MPJ-së së Emirateve thuhet se në këtë takim është folur për marrëveshjen Kosovë – Serbi, dhe se Kryediplomati i tyre është zotuar që do të ndihmojnë në çfarëdo forme për t’u arritur ajo që synohet me marrëveshje.

“Ai ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekje që kanë për qëllim arritjen e rezultateve që kënaqin dy palët, duke nënvizuar përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për të gjitha përpjekjet që kërkojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë”, thuhej në njoftimin për takimin e Vuçiqit me Sheikun Abdullah.

Edhe me Vuçiqin, Sheiku ka folur për investime strategjike, duke thënë se Presidenti serb ka kërkuar “bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe në të gjithë sektorët”.

Në një raportim në Serbi, gjatë marsit, thuhej se mbretëritë nga Gjiri Persik, aleate të Perëndimit, nuk investojnë në një treg si ai i Serbisë pa një sinjal nga Perëndimi.

“Kështu ka qenë edhe në vitin 2013, kur është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit dhe kur kanë filluar të vijnë investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Serbi”, thuhet në një raportim Demostat, që ishte transmetuar edhe në media tjera.

Aty përmendej një vizitë e Presidentit serb në Doha të Katarit, gjatë marsit, prej nga tha se i kishte kërkuar emirit të këtij vendi që të behej partner strategjik i “Air Serbia”.

“Presidenti i Serbisë ishte në Doha në fillim të marsit në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara, me atë rast u takua për herë të parë me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, dhe mediat serbe ishin më së shumti të tërhequra nga informacioni, të cilin presidenti përcolli, se i ka kërkuar Emirit që Katari të shqyrtojë mundësinë për t’u bërë partner strategjik i Air Serbia”.

Në një deklaratë për media, Vuçiq ka vlerësuar se takimi me emirin ka qenë shumë domethënës dhe se Katari është i interesuar për bashkëpunim me Serbinë në shumë fusha.

Mediat serbe përmendnin lidhjet e ngushta që i ka Katari me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin e tyre te shteti arab.

“Katari është një nga partnerët më të afërt ushtarak të SHBA-së në rajon, dhe baza ajrore në Katar është baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti amerikan Biden vitin e kaluar e shënoi Katarin si një nga aleatët kryesorë jashtë NATO-s”,

Kategoritë
BotaLajmeVendi