Abazoviq: Zgjedhja ime kryeministër është çudi edhe për Malin e Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë që përzgjedhja e tij si kryeministri i pari shqiptar i këtij shteti ka qenë çudi edhe për vetë ata.

“Zgjedhja ime kryeministër edhe për Malin e Zi është çudi, por mendoj që është një hap demokratik dhe tregon që pa marrë parasysh që ka dilema dhe probleme të ndryshme në gjithë rajonin, prapë shoqëria ngritët në kulturën politike”.

“Pas një mundi mjaft të madh dhe pas shumë dilemave, kemi ardhur në situatë që një njeri që i takon popullit pakicë në Mal të Zi – shqiptarëve – të arrijë të bëhet kryeministër. Mendoj që kjo nuk ka të bëjë me mua personalisht, por është një hap që tregon një pjekuri shoqërore dhe me këtë thyhet akulli”, ka thënë Abazoviq në një intervistë ekskluzive në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje Abazoviq theksoi që zgjedhjet e vitit 2020 ishin historike për Malin e Zi.

“Ne kemi pasur pushtet, që ka qenë 30 vjet i instaluar, i cili ka ardhur si pasardhës i Partisë Komuniste dhe i ka marrë elementet e dobëta prej atij regjimi të kaluar. Ka qenë një demokraci që s’ka qenë e përfunduar, ku një parti ka pasur një monopol politik dhe pas 30 vjetësh (më 30 gusht 2020) kanë qenë zgjedhjet historike dhe është thyer ‘Muri i Berlinit’ në Mal të Zi dhe është kthyer sovraniteti te qytetari. Qytetari i Malit të Zi e ka kuptuar që me zgjedhje mund të bëjë ndryshim, se ka politikë edhe jashtë Gjukanoviqit, që ka politikanë edhe jashtë Gjukanoviqit dhe partisë së tij dhe se ka edhe parti të tjera, të cilat mund të udhëheqin”, tha Abazoviq.

Kategoritë
LajmeRajoni