Abdixhiku e mbështet vendimin për ndalimin e doracakëve të Edukatës Seksuale: T’i mbrojmë fëmijët nga eksperimentet e pushtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhku, ka përshëndetur vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e përdorimit të Doracakëve të Edukatës Seksuale dhe Shëndetit riprodhues.

Në opinionin publik ka pasur vërejtje të mëdha për doracakët, duke i cilësuar si të papërshtatshëm për fëmijët.

Abdixhiku ka thënë se të gjithë komunat duhet ta ndjekin këtë hapë, që të ndalojnë këto doracakë të cilat kreu i LDK-së i quan si eksperimente të pushtetit.

“Mbështes, vendimin e Jehonës dhe të Kryeqytetit në ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukatë Seksuale dhe Shëndeti riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.  Të gjitha komunat e Kosovës të marrin hapa të ngjashëm dhe të ndalojnë përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre, dhe kështu të mbrojnë fëmijët tanë nga eksperimentet e pushtetit”, ka shkruar Abdixhiku.

Më tutje, kandidati për kryeministër Abdixhiku ka thënë se pas 9 shkurtit do ta kthejnë dinjitetin e mësimdhënësve dhe vet institucionit arsimor.

“Me LDK-në, pas 9 shkurtit, do ta kthejmë dinjitetin e mësimdhënësve dhe vet institucionit arsimor. Shkollat do të jenë një vend ku fëmijët tanë do të jenë të sigurtë, të dijshëm e të zhvilluar”, ka shkruar Abdixhiku.

Kategoritë
LajmeVendi