Abdixhiku: Kryeministri nuk duhet të jetë mbi Prokurorinë, ndryshimi vjen më 9 shkurt

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se posti i kryeministrit nuk duhet të jetë mbi Prokurorinë e shtetit e as duke i sulmuar mediat, raporton Ekonomia Online.

Në tubimin elektoral në Kamenicë, Abdixhiku ka thënë se ndryshimi duhet të ndodh më 9 shkurt.

“Ne nuk duam të ankohemi, ne duam të punojmë. Të punojmë fort e me përkushtim, me dije e duke dhënë përgjegjësi përpar jush. Prandaj, në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5% rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë – mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit – do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150”, deklaroi i pari i LDK-së.

“Për këtë përgjigjemi para vendit, para Zotit, para secilit qytetar të vendit! Nga 200 euro më shumë, secilin muaj – ky është zotimi ynë. Në Kosovën e territ, të qirinjve e të reduktimeve, në Kosovën ku nuk ka rrymë sepse pushteti tallet duke thënë “paskemi zhvillim ekonomik”, në këtë Kosovë, do të ndërtojmë Centralin e ri me Gaz në Ferizaj. 500 milionë euro  investim, për centralin me gaz amerikan; për të dhënë fillimisht furnizim me energji, e më pas edhe energji më të lirë. Sepse, për ne, të djathtit, Lidhjen Demokratike, energjia është ekonomi dhe siguri. Prandaj, energji me gaz, prandaj energji me gaz amerikan”.

Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin të shqetësuar, tek kërkojnë shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona të frikësuara, këtu, në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja – shëndetësi moderne, ashtu siç e meriton vendi ynë i bukur. E për të gjithë fëmijët e Kosovës, ata që qëndrojnë sot 4 orë në shkollë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të sigurojë mësim gjithëditor. Ushqim të ngrohtë, klasa moderne, tabela digjitale e mësimnxënie moderne, ashtu siç kemi bërë në Prishtinë, do të bëjmë fillimisht në 5 komuna e më pas në krejt Kosovën”, u shpreh Abdixhiku, teksa prwmtoi edhe shtim të numrit të zyrtarëve policor.

“Për të rinjtë tanë, ata që janë në prag të mbledhjes së valixheve e ikjes nëpër botë, kemi Programin Kombëtar për trajnime në teknologji. Plot 40 mijë të rinj e të reja, në katër vjet, do të përfitojnë nga ky program trajnimi, që u jep edhe paga të larta, edhe vende të sigurta edhe qëndrim në Kosovë. Në siguri e mbrojtje, do t’i kemi 10 mijë polic, me polici në bashki – pra polic për secilën lagje në vend; do t’i kemi 6 mijë ushtarë, 4 kazerma të reja e 2 lagje të reja ushtarake. Siguria jonë, mbrojtja jonë, janë detyrat tona! Qeveri e fortë, shtet i fortë! Nga Ibrahim Rugova, dëshmorët dhe martirët, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, te Ushtria e Kosovës, sot partnere, nesër forcë e NATO-s”, u shpreh Abidixhiku.

“Do të investojmë mbi 1 miliard euro në infrastrukturë rrugore, përfundimi i të gjitha rrugëve rajonale, magjistrale e autostradave. Sic edhe jemi zotuar tashmë, do të përfundojmë autostradën e Anamoravës, nga Prishtina, tek Gjilani e deri tek Dheu i Bardhë, për t’i dhënë Kamenicës kycjen nëinfrastrukurë moderne rrugore. Këto, dhe zotimet tjera, janë pjesë e programit tonë Rruga e Re. Janë pjesë e një ëndrre politike që e sheh Kosovën në një të ardhme ndryshe, më të mirë, në mesin e popujve të lirë të familjës euro-atlantike”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, Jeton Biqkaj, tha se Kamenica si çdo komunë është e zhgënjyer me nivelin qendror. Ai shprehu bindjen se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të jetë kryeministër i ardhshëm.

Kategoritë
LajmeVendi