Abdixhiku pritet ne Pallatin Presidencial Élysée

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është pritur sot në Pallatin Presidencial Elysee në Paris nga këshilltarja e presidentit të Francës, Isabelle Dumont, në MPJ-në e Francës nga zëvendësdrejtori për Evropën Kontinentale Sylvain Guaugue dhe në Santin francez nga Senatrice Laure Darcos.

Siç njofton Zyra për Media e LDK-së, Abdixhiku në këto takime ka ritheksuar qëndrimet e LDK-së mbi procesin e dialogut “si një proces të cilin vendi Kosova duhet ta trajtojë me prioritet si mjet drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, me njohjen në qendër të saj”.

Abdixhiku në Francë ka thënë se implementimi i marrëveshjeve paraprake bazuar në Kushtetutën e Kosovës s’ka alternativë.

“Implementimi i marrëveshjeve paraprake, konform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë. Kryetari Abdixhiku ka shtruar po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re, drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO; dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e LDK-së,

Në këto takim është diskutuar edhe për interesimin e shtuar francez për investime ekonomike në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kategoritë
LajmeVendi