Adam Pearson u bë viktimë e fyerjeve të tmerrshme për shkak të pamjes së tij dhe u përgjigj: A nuk ka mësuar askush asgjë?

Aktori britanik Adam Pearson u bë shënjestër e komenteve mizore nga përdoruesit e rrjeteve sociale për shkak të pamjes së tij, dhe në fund vendosi t’u përgjigjet fyerjeve.

Ai së fundmi mori pjesë në ndarjen e Çmimeve të Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit (BAFTA) në Londër. Ai parakaloi në tapetin e kuq së bashku me kolegët e tij nga filmi “A Different Man”.

Një përdorues i rrjetit X ndau një fotografi të tij dhe kolegut Warwick Davis me një koment të tmerrshëm: “A ishte kjo ndarje çmimesh apo cirk?” Pearson iu përgjigj:

“A nuk ka mësuar askush asgjë? Për të qenë të qartë, kjo është ndarja e çmimeve BAFTA. Më duket ironike që në profilin tënd pretendon se shpërndan mirësi, ndërsa fyen dy aktorë të suksesshëm vetëm sepse janë persona me nevoja të veçanta. Mbaje paragjykimin tënd diku tjetër.”

Pearson vuan nga neurofibromatoza, një çrregullim i rrallë gjenetik që shkakton rritjen e tumoreve beninje në trup. Ai filloi karrierën si aktor në vitin 2013 me filmin “Under the Skin”.

Kategoritë
Të ndryshme