Ademi: Nuk prisnim që një legjendë si Piksi t’i shante nënat tona shqiptare

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha sa është befasuar kur në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar, ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, ka parë se trajneri serb Dragan Stojkoviq – Piksi, pas golit të dytë të Serbisë, ka festuar duke sharë shqiptarët.

“Nuk e prisja që një legjendë si Piksi të shante nënat tona shqiptare. Ai ishte një legjendë e lojës së Jugosllavisë, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët, e shijonim driblimin dhe aftësitë e tij, e shikonim drejtpërdrejt edhe në Ligën e Parë të atëhershme”.

Ademi për Danas tha se shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe sipas tij, habiten që si ai u soll në një ndeshje që nuk ishte kundër Kosovës, por ndaj Zvicrës.

“Të tilla gjëra nuk duhet të bërtasin tifozët në tribunë, e aq më pak një pjesëmarrës në ndeshje në fushë. Çfarë bën publiku është tjetër çështje dhe pjesëmarrësit e ngjarjes sportive nuk duhet të marrin pjesë dhe as të japin arsye”, tha Ademi.

Ndryshe më 4 dhjetor, Federata e Futbollit të Kosovës, njoftoi se kishte kërkuar nga FIFA që të hetonte dhe sanksiononte kombëtaren serbe, për shkak se tha se gjatë ndeshjes me Zvicrën, janë dëgjuar “fyerje të rënda nga trajneri i përfaqësueses së Serbisë” në drejtim të shqiptarëve dhe se janë vërejtur “veprime raciste nga tifozët serbë”.

Ademi tutje ka thënë që edhe pse nuk dëshiron të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i “shtëpisë së futbollit” botëror, sipas tij, FIFA dhe UEFA nuk e tolerojnë nacionalizmin dhe përhapjen e intolerancës kombëtare.

“Na befasoi edhe flamuri (harta e Serbisë me Kosovën para së cilës shkruante “jo dorëzim”) në dhomën e zhveshjes. Kjo vërtetë nuk u shkon për shtati futbollistëve serbë. Këto çështje duhet t’ia lëmë politikës dhe politikanëve t’i zgjidhin. Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, jo të krijojë tensione kombëtare dhe të përhapë urrejtje”.

“Futbollistët e Serbisë dhe Kosovës duhet të luajnë një ndeshje miqësore dhe të tregojnë se futbolli dhe sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, jo ti ndajë”, tha Ademi.

Kategoritë
Sport