Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion mbi vendet evropiane që të rrisin furnizimin me armë për Ukrainën, në mënyrë që kjo e fundit të ketë një “pozitë më të fortë në negociatat për paqe”, shkruan Reuters.
Siç theksohet, ky veprim është gjithashtu një garanci për Ukrainën dhe liderin e saj, Volodymyr Zelensky, se SHBA nuk do ta braktisë atë.
Megjithatë, Trump ka një qasje të ndryshme nga administrata e mëparshme e Joe Biden, e cila ka mbajtur barrën kryesore të furnizimit me armë për Ukrainën. Lideri i ri amerikan dëshiron që Evropa të marrë përsipër këtë rol.
Sipas burimeve të Reuters, presioni ndaj vendeve evropiane do të intensifikohet gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, së bashku me nënkryetarin J.D. Vance, do të diskutojnë me përfaqësuesit evropianë.
Sigurisht, ky hap do të jetë gjithashtu në favor të SHBA-së, pasi vendet evropiane do të blejnë armë amerikane, të cilat më pas do t’i dërgojnë në Kiev.
Përveç kësaj, Kellogg dhe Vance pritet t’u paraqesin aleatëve të tyre në Evropë një plan të ri për vazhdimin e ndihmës amerikane për Ukrainën, por me një shkurtim të ndjeshëm financiar.
Sipas Reuters, këto plane janë hartuar me qëllim që SHBA të tërhiqet nga roli i saj si lider në mbështetjen e Ukrainës, por njëkohësisht të sigurohet që Ukraina të mos mbetet e braktisur dhe të ketë një pozitë sa më të mirë përpara negociatave të mundshme të paqes me Rusinë.