Adnan Meviq, banori i gjashtë miliardtë i planetit Tokë, sot është 23 vjeç

Në vitin 1999, ai dhe nëna e tij Fatima u vizituan në maternitetin e Sarajevës nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Kofi Annan.

Një minutë pas mesnate, më 12 tetor 1999, në Sarajevë lindi Adnan Meviq, banori i gjashtë miliardtë i planetit Tokë.

Adnani sot është 23 vjeç, po kryen studimet e masterit në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Sarajevës. Siç tha ai për Anadolu Agency (AA), nuk ndihet i veçantë për titullin e banorit të gjashtë miliardtë të planetit Tokë.

“Unë nuk ndihem më i rëndësishëm se njerëzit e tjerë. Kjo nuk më shkon mirë. Gjithmonë përpiqem të gjej gjuhën e përbashkët me të gjithë dhe kurrë nuk jam mburrur që jam dikushi”, tha Adnani.

Në vitin 1999, ai dhe nëna e tij Fatima u vizituan në maternitetin e Sarajevës nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Kofi Annan, i cili tha më pas: “As lufta e tmerrshme, as rrethimi i pamëshirshëm i Sarajevës, as politika çnjerëzore e spastrimit etnik, nuk mund ta parandalojë këtë, si dhe shumë lindje të tjera në Bosnje e Hercegovinë. Shpresoj që ju do ta festoni lindjen e sotme duke siguruar rilindjen e atmosferës tolerante dhe multifetare që dikur karakterizonte Sarajevën dhe Bosnje e Hercegovinën. Kjo duhet të jetë dhurata jonë e përbashkët për foshnjën e gjashtë miliardtë në planet.”

“Unë jam i njohur si banori i gjashtë miliardtë i planetit Tokë. Megjithatë, nuk ka asnjë certifikatë që jam banori i gjashtë miliardtë i planetit Tokë. Prandaj nuk shquhem për këtë, jam një djalë normal, jetoj dhe punoj normalisht, shoqërohem me të gjithë, kam pasur edhe disa privilegje sepse kam vizituar Real Madridin, kam shkuar në Interpol, jam takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit dhe gjëra të ngjashme”, tha Adnan.

Ai tha se nuk ka përfituar nga ky titull.

“Mund të thuhet se ekziston vetëm si një lloj çmimi që është nënshkruar mes prindërve të mi dhe presidentit të ndjerë Alija Izetbegoviq, dhe ai është që të ndaj rreth 200 marka (rreth 100 euro) në muaj si një lloj përkujdesjeje, deri në përfundimin e shkollimit”, shpjegoi Adnani.

Duke qenë se aktualisht nuk mund të gjejë punë në profesionin që e studion dhe se në këtë nuk e ka ndihmuar “titulli” i banorit të gjashtë miliardtë të planetit Tokë, ai po mendon edhe të largohet nga vendi nëse kjo nuk ndodh në periudhën e ardhshme.

“E shihni situatën aktuale në vend, çfarë po ndodh me të rinjtë, nuk u jepet mundësia të gjejnë punë në fushën e tyre, prandaj të rinjtë po na lënë, për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit të lartë. Nëse nuk gjej punë në fushën time, planifikoj të largohem. Dua të shkoj në Austri, Gjermani ose Zvicër ndoshta”, tha Adnani.

I riu jeton me nënën e tij Fatimen, ndërsa babai i tij ka vdekur në vitin 2012.

“Ne të dy jemi duke luftuar me jetën, ajo ka një punë me kohë të plotë”, tha Adnan.

Ai jeton në qytezën Visoko në afërsi të Sarajevës, për të cilën thotë se është si një pazar i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, kështu që popullariteti i tij si banori i gjashtë miliardtë i planetit Tokë nuk është aq i theksuar.

Ai shprehet se askush nga OKB-ja nuk e ka vizituar, ndërsa ditëlindjen e tij më herët i ka festuar në rrethin e zyrtarëve vendas që e vizitonin.

Ai është i lumtur që sot kjo nuk ndodh dhe se mund ta festojë ditëlindjen si çdo person tjetër, në rrethin familjar.

Vinice Mabansag​​​​​​​, i cili është personi i 8 miliardtë në planetin Tokë, lindi sot në Manila.

Kategoritë
BotaLajme