Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” vazhdon me trendin e rritjes së numrit të udhëtarëve

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti aeroporti ka shërbyer rreth 650.710 udhëtarë apo 104.815 udhëtarë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishte 545.895 udhëtarë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka vazhduar në fillimvit trendin e rritjes së numrit të udhëtareve dhe fluturimeve edhe pse pothuajse kishte arritur shifrën 3 milionë udhëtarë vitin e kaluar, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Zyra për Komunikim me Publikun e Aeroportit, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti (janar, shkurt, mars) ka shërbyer rreth 650.710 udhëtarë apo 104.815 udhëtarë më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishte 545.895 udhëtarë.

“Përveç numrit në rritje në mbi 19 për qind në udhëtarë, aeroporti ka shënuar edhe një rritje prej rreth 10 për qind në numrin e fluturimeve. Në këtë periudhë kohore ka ateruar për herë të parë edhe kompania e re ajrore ‘Condor’ duke shtuar frekuencat e fluturimeve për Dusseldorf dhe Munich”, thuhet në njoftim.

Aeroporti njofton gjithashtu se në pistat e tij, ditë më parë u rikthyen përsëri edhe fluturimet në destinacionin e Lubjanës, përmes kompanisë ajrore GP Aviation.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” menaxhohet nga kompania turke LIMAK nga viti 2011.

Kategoritë
LajmeVendi