Afganët në Shëngjin ende larg Amerikës, 2 mln € borxh resortit që i strehoi

Mohamed dhe Arash janë të parët që kanë mbërritur nga Afganistani në Shqipëri dhe janë vendosur në Shëngjin.

Prej më shumë se 10 muajsh po mundohen të përshtaten me jetën në Shqipëri, ndonëse u është premtuar se nuk do të qëndrojnë gjatë.

Mohamed është personazh i famshëm i komedisë në Afganistan.

“Unë jam Mohamed dhe jam një komedian nga Afganistani. Kam punuar në disa emisione në televizionin kombëtar të Afganistanit . Kur talebanët sulmuan Afganistanin në gusht, ne po filmonin disa shfaqje dhe shumë nga kolegët e mi ishin të dëshpëruar, sepse u përhap lajmi që talebanët po sulmonin. Në ditët në vijim ata vranë gazetarë dhe komedianë. Situata ishte e frikshme dhe unë munda të largohesha vetëm 2 muaj më vonë. Tani jam i sigurt në Shqipëri”, thotë Mohamed.

Nga Shëngjini përmes një kanali në youtube, po mundohet të fitojë mjaftueshëm për të mbajtur familjen.

“Jam këtu me familjen time dhe po presim të largohemi nga Shqipëria. Tani po punoj në youtube dhe po u tregoj njerëzve atje çfarë bëj këtu. Jetën time të përditshme. Në fakt, unë jam i mërzitur dhe është e vështirë ti bëj të tjerët të qeshin kur nuk je në formë por po provoj më të mirën”, shprehet ai.

Arash prej 15 vitesh punon si reporter në Afganistan. Situata atje nuk është aspak e mirë, ndërsa këtu ndihen të sigurt. Një pjesë e familjes së tij ndodhet në Afganistan.

“Kemi ardhur këtu nga Afganistani pasi atje nisën trazirat. Këtu jemi të sigurt, por sërish një pjesë e familjes sime është atje dhe kam frikë për ta. Flasim shpesh me ta në kamera, por në disa raste qeveria ndërpret internetin atje dhe e kemi të pamundur të komunikojmë. Po mundohem të përshtatem këtu dhe po punoj për të bërë disa reportazhe nga Shqipëria, për të fituar disa para. Vendi këtu më pëlqen, por kemi vështirësi të përshtatemi me ushqimin”, tregon Arash.

Pavarësisht sigurisë këtu, Arash jeton me ëndrrën amerikane.

“Nuk di dhe sa kohë do të qëndrojmë këtu. Ëndrra ime është Amerika, pasi është toka e mrekullive. Siç e thashë dhe më parë, kam 5 fëmijë dhe duhet t’i shkolloj dhe edukoj. Ëndrra ime është Amerika”, thotë ai.

Që prej ardhjes së afganëve në Shqipëri, rreth 1800 prej tyre u strehuan në Shëngjin ndërsa aktualisht kamë ngelur vetëm 800 të tillë. Pjesa më e madhe janë larguar për në Amerikë, si dhe një pjesë tjetër në Kanada.

Euronews Albania mësoi se të gjitha shpenzimet e tyre po mbulohen nga 7 kompani nga Amerika të cilët po kryejnë dhe procedurat për transferimin e tyre në vendet e tjera.

Deri tani nuk ka asnjë datë konkrete kur mund të bëhet i mundur largimi i plotë i tyre. Shteti shqiptar në partneritet me atë amerikan ka garantuar sigurinë e tyre 24 orë, ndërsa këtyre shtetasve u mundësohet kujdesi shëndetësor falas.

Rreth 2 muaj më parë 350 afganë përfunduan në mes të rrugës pasi kompania “Federal Practice Group” ndërpreu pagesat për strehimin e tyre. Ndonëse afganët u kaluan në banesa të tjera private, shuma prej 2 milionë eurosh ende nuk është paguar ndaj resortit në Shëngjin.

Kategoritë
LajmeRajoni