Afrika e Jugut më vonë gjatë ditës do të paraqesë një memorial të detajuar kundër Izraelit në GJND, që përmban më shumë prova “të detajuara mjeko-ligjore”
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola tha se kanë prova gjithëpërfshirëse mjeko-ligjore me të cilat do të mund të bindin Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se me të vërtetë është kryer gjenocid në Gaza, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media në kryeqytetin Pretoria së bashku me homologun e tij ukrainas Andrii Sybiha, Lamola tha se Afrika e Jugut më vonë gjatë ditës do të paraqesë një memorial të detajuar kundër Izraelit në GJND.
“Ne do të mbushim memorialin sot në emër të qeverisë së Afrikës së Jugut. Natyrisht, ne nuk mund të zbulojmë detaje mjeko-ligjore sepse gjykata ka rregullat e veta, memoriali është konfidencial. Mirëpo, i takon gjykatës ta hapë atë për publikun, nëse gjykata dëshiron ta bëjë këtë”, tha ai në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
Memoriali i Afrikës së Jugut përmban më shumë prova “të detajuara mjeko-ligjore”, për të treguar se ky nuk është thjesht një rast që “besohet të jetë gjenocid”, por në të vërtetë është gjenocid.
Pasi të dorëzohet memoriali, i padituri, në këtë rast, Izraeli, do të paraqesë një kundër-memorial deri më 28 korrik 2025.
Afrika e Jugut ngriti procesin e gjenocidit kundër Izraelit në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Disa vende, përfshirë Türkiyen, Nikaraguan, Palestinën, Spanjën, Meksikën, Libinë dhe Kolumbinë, i janë bashkuar çështjes në GJND, e cila filloi seancat dëgjimore në janar.
Gjykata e lartë në maj urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Kjo ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh lëshonte urdhra paraprak duke kërkuar t’u jepej fund vdekjeve dhe shkatërrimeve në enklavën e bllokuar, ku që nga 7 tetori 2023 janë vrarë afro 43 mijë palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra.