Presidenca e Afrikës së Jugut tha se do të sigurojë “fakte dhe prova” për të vërtetuar se Izraeli po kryen gjenocid në Palestinë
Çështja e gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të vazhdojë dhe Afrika e Jugut do të paraqesë një memorial muajin e ardhshëm, tha presidenca e vendit në një deklaratë, transmeton Anadolu.
“Afrika e Jugut synon të sigurojë fakte dhe prova për të vërtetuar se Izraeli po kryen krimin e gjenocidit në Palestinë”, thuhet në deklaratë.
“Kjo çështje do të vazhdojë derisa gjykata të nxjerrë një konkluzion. Ndërsa çështja është në proces, ne shpresojmë që Izraeli do t’u bindet urdhrave të përkohshme të gjykatës të lëshuara deri më sot”, theksohet më tej.
Deklarata vjen në mes të raportimeve se diplomatët izraelitë janë duke u udhëzuar të lobojnë tek anëtarët e Kongresit të SHBA-së për t’i bërë presion Afrikës së Jugut që të heqë dorë nga rasti.
Afrika e Jugut tha se rasti i saj i gjenocidit kundër Izraelit përfaqëson një përpjekje globale në rritje drejt sigurimit të paqes në Lindjen e Mesme.
Disa vende, shtoi ai, përkatësisht Türkiye, Nikaragua, Palestina, Spanja, Meksika, Libia dhe Kolumbia, i janë bashkuar çështjes për të cilën seancat dëgjimore filluan në janar.
Afrika e Jugut e paraqiti çështjen në gjykatën me seli në Hagë në fund të vitit 2023, duke akuzuar Izraelin, i cili ka bombarduar Gazën që nga tetori i kaluar, për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Gjykata e lartë në maj urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ishte hera e tretë që trupi gjykues prej 15 gjyqtarësh lëshonte urdhra paraprakë duke kërkuar të frenonte numrin e të vdekurve dhe të lehtësonte vuajtjet në enklavën e bllokuar, ku numri i viktimave ka kaluar në mbi 40.000.