Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të premten ka vendosur për revokimin e licencës të kompanisë së sigurimit “Kosova e Re”. Deri te ky vendim erdhi pasi kompania nuk arriti t’i përmbush kërkesat ligjore për kapital dhe solvencë.
Detyrimet e kompanisë në momentin e revokimit të licencës ishin 7.7 milionë euro ndaj të gjitha palëve.
Kjo kompani ka disa kontrata aktive me institucionet publike, shkruan lajmi.net.
Vetëm në këtë vit KS “Kosova e Re” SHA ka nënshkruar 7 kontrata, aktive janë edhe disa kontrata të viteve të kaluara. Nënshkrimi i tyre ka qenë i kundërligjshëm, pasi që ky sigurues ishte nën mbikëqyrje nga Banka Qendrore e Kosovës nën Administrim të përkohshëm për mospërmbushje të detyrimeve ndaj BQK-së, dhe në këtë pikë, zyrat e prokurimit kanë bërë shkelje kur ka rekomanduar për kontratë këtë kompani.
Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik tek kapitulli “Pranueshmëria e Kandidatëve ose Tenderuesve”, flet se kur një kompani nuk ka të drejtë të garojë për një kontratë në institucionet publike.
“4. Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik: 4.1. gjatë dy viteve të kaluara është shpallur nga një gjykatë kompetente si i falimentuar ose insolvent, ose aktualisht është në procedurë: (i) të falimentimit, (ii) të pranimit të urdhrit për likuidim ose përmbyllje të aktiviteteve ose administrimit nga gjykata ose (iii) ndonjë procedurë tjetër të ngjashme sipas ligjit të Kosovës ose ndonjë juridiksioni tjetër. 4.2. me vendim të një gjykate kompetente është likuiduar ose është vënë në mbikëqyrje të administratorit; 4.3. aktualisht ka një marrëveshje ose aranzhim me kreditorët e tij që siguron kushte të zgjeruara ose të reduktuara të pagimit nëse mbi kushtet e tilla janë pajtuar paraprakisht kreditorët e tillë për shkak se operatori ekonomik më parë ka qenë i paaftë që të përmbushë obligimet e tij në afatin e duhur kohor; 4.4. është në një situatë të ngjashme me ato të përshkruara në nën-paragrafët 4.1, 4.2. të këtij neni”, thuhet shprehimisht në nenin 65 të LPP-së tek pika 4.
Sipas Sokol Havollit, zëvëndësguvernator në BQK, detyrimet e kompanisë në momentin e revokimit të licencës ishin 7.7 milionë euro.
“Kaq ka qenë kërkesa ligjore ndaj kompanisë por nuk është përmbushur”, ka thënë ai në konferencën për media, të premten.
Kompania do të hyjë në fazën e likuidimit dhe tek atëherë do të dihet se sa do të jetë mbulueshmëria e detyrimeve nga kompania.
Në rastin e kompanisë “Insig” e cila po ashtu ishte mbyllur me 2019 për të njëjtat arsye, policëmbajtësit u dëmtuan për 20 për qind të vlerës së dëmit nga aksidenti që kishin me kompaninë.
“Ende nuk e dimë. Mbulueshmëria e detyrimeve mund të jetë më pak ose më shumë se 80%, duhet të presim likuidimin e kompanisë”, ka thënë Havolli.
Derisa qytetarët nuk e kanë ditur gjendjen e kompanisë ku kanë siguruar automjetet, institucionet publike që nënshkruan kontrata në kundërshtim me ligjin në këtë vit janë disa dhe vlera e tyre arrin në 203,504.15 euro.
Më 23 gusht 2021, Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar një kontratë me KS “Kosova e Re” SHA për një periudhë kohore prej 36 muajve, respektivisht deri në vitin 2024. Kontrata peshon 31 mijë e 647 euro, dhe ka të bëjë me sigurimin dhe kontrollimin teknik të 40 automjeteve.
Në muajin maj, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka nënshkruar një kontratë më “Kosova e Re” në vlerë prej 9 201,47 euro.
Më 20 Prill të këtij viti, edhe Gjykata Kushtetuese ka nënshkruar kontratë për tri vite për “Sigurimi i veturave zyrtare TPL, TPL Plus dhe Full Kasko–EU ”. Kontrata ishte nënshkruar në vlerë prej 22 mijë e 654 euro. Po më këtë institucion, në mars, kjo kompani ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 3730 eurove për: “Sigurimi i veturave zyrtare TPL, TPL Plus dhe Full Kasko–EU për veturën SKODA Octavia Ambition 2.0 TDI DSG dhe Full Kasko–EU për veturën SKODA Octavia Ambition 1.6 TDI”.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka lidhur një kontratë një vjeçare më këtë kompani për ”Sigurimi dhe kontrolla teknike e Veturave te MSH-së”. Vlera ka qenë 8499 euro.
Në muajin mars, edhe Ministria e Financave ka lidhur kontratë për sigurimin e automjeteve për këtë vit me “Kosova e Re” në një vlerë prej 3692 euro.
Për disa javë shumë automjete qëndruan pa sigurim dhe policia u detyrua të procedojë me negocim dy kontrata në fillim të këtij viti për sigurimin e automjeteve.
Më 1 maj, prokurimi i policisë hapi ofertë të re për këtë punë, ndërsa me datë 12 maj ka bërë njoftim për fituesin, ku u përzgjodh kompania “Kosova e Re”.
Prokurimi i Policisë së Kosovës këtë tender e ka ndarë në dy lot, dhe “Kosova e Re” ka fituar pjesën e parë me çmim prej 310449, 80 euro. Kompania “Eurosig”, ka pasur çmim 310635, 18 euro, Kompania “Prisig”, 1303393, 51 euro, kompania “Dukagjin”, ka çmim prej 310773, 43 euro.
Kompania e Sigurimeve “Eurosig” ishte ankuar në zyrën e prokurimit të policisë më t’u shpallur fituesi, ku ka shfaqur disa pretendime. Në mesin e tyre ka qenë edhe një pikë ankimore se kompania fituese nuk mund të shpërblehet me kontratë ngase është nën administrim dhe kjo bije ndesh me një nen të LPP-së.
Por, të gjitha pikat ankimore i janë hedhur poshtë dhe është lënë në fuqi, ‘njoftimi për dhënie të kontratës’. Për këtë pikë, policia është arsyetuar se. “Sa i përket pretendimeve se është shkelur neni 65, ju informojmë së për këtë kompani nuk ka ndonjë vendim gjyqësor kompetent që kompania në fjalë ka falimentuar. Po qe se kompania në fjalë ka falimentuar atëherë do t’i revokohej licenca nga ana e Bankës Qendrore”, thuhet në arsyetimin e zyrës së prokurimit të Policisë së Kosovës.
Lajmi.net ka gjetur se, në vitin 2020, “Kosova e Re” ka lidhur 13 kontrata me institucionet publike në vlerë prej 305,854.27 eurove, disa nga kontratat janë realizuar me procedurë të negociuar, ani pse institucionet publike e kanë ditur se kjo kompani ka probleme, por dyshimet janë se mund të kenë pasur biseda interne me BQK-ne.
Në vitin 2019 kjo kompani ka lidhur 9 kontrata në vlerë prej 319,686.04 eurove.
Vendimi i BQK për revokim të licencës ndaj kompanisë “Kosova e Re”, pritet të ketë pasoja për mijëra qytetarë që kishin polica të sigurimit me këtë kompani.
Sipas të dhënave të publikuara në uebsajtin e kësaj kompanie, rreth 38 mijë qytetarë, përkatësisht 37 mijë e 739 qytetarë kishin kontratë sigurimi me kompaninë “Kosova e Re” në momentin e revokimit të licencës.
Pjesa më e madhe e tyre, ose 26 mijë e 215 sosh, kanë të bëjnë me sigurmin TPL, apo sigurimin e detyrueshëm, që ndryshe njihet si “sigurimi i autopërgjegjësisë ndaj palëve të treta”.
Vlera e këtyre kontratave për sigurmin TPL arrin në 5 milionë e 882 mijë euro. Ndërkaq, sa i përket dëmeve nga aksidentet, nuk dihet sa është numri i tyre, meqë nuk ka të dhëna të publikuara.
Viteve të fundit, Siguruesi “Kosova e Re”, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguese – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.
Me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë.
BQK-ja ka thënë se ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. Me emërimin e Likuidatorit, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit të Siguruesit në raport me menaxhimin e saj.
Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave, në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve.
Banka Qendrore e Kosovës ka udhëzuar të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë, që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Siguruesin në Likuidim “Kosova e Re”. /Lajmi.net/