Agjencia amerikane e zbulimit paralajmëron: Kina po rekruton nëpunës të qeverisë amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim të fortë, duke deklaruar se shërbimi i inteligjencës kineze po përdor metoda mashtruese për të rekrutuar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të qeverisë amerikane.

Ky paralajmërim vjen nga Qendra Kombëtare për Kundërzbulim dhe Siguri dhe është publikuar në një kohë kur në administratën federale po ndodhin shkarkime masive, të udhëhequra nga Departamenti për Efikasitet të Qeverisë, një strukturë e krijuar nga Elon Musk.

“Subjektet e inteligjencës së huaj, në veçanti ato kineze, synojnë ish- dhe aktualisht të punësuarit e qeverisë së SHBA-së, duke u paraqitur si firma konsulence, rekrutues biznesi apo entitete të tjera në platformat sociale dhe profesionale,” thuhet në buletinin e qendrës.

Qendra paralajmëron se ofertat mashtruese për punë online dhe qasjet e tjera janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara, duke i bërë veçanërisht të ndjeshëm individët me përvojë në qeverinë amerikane, të cilët janë në kërkim të punësimit të ri.

Raporti, i cituar nga Reuters, vë në dukje rrezikun në rritje për sigurinë kombëtare që përbëjnë këto taktika të avancuara të zbulimit kinez, dhe bën thirrje për vigjilencë të shtuar mes zyrtarëve federalë dhe ish-zyrtarëve.

Kategoritë
BotaLajme